Ai është një nga tre zërat më të mirë në Sanremo 2017, festivali më i rëndësishëm i muzikës së lehtë italiane. Shqiptari Ermal Meta, me pasaportë italiane, fitoi vendin e tretë, me këngën “Vietato Morire”, “E ndaluar të vdesësh”.

“Ia dedikoj këtë çmim nënës time, e cila më ka mësuar të mos bindem. Ashtu siç ndodh gjithnjë, mbase vlerësohen këngët dhe jo zëri, ky është festivali i këngës. Kam përshtypje shumë të mira. Unë erdha si nga jashtë dhe tani që ndodhem këtu, në këtë skenë, ndihem pjesë e tij”.

Triumfi i Ermal Metës është i trefishtë. Përveç së është një nga finalistët e Sanremos, ai u vlerësua më çmimin e kritikës “Mia Martini”, për tekstin dhe mesazhin që përcjell kënga dhe “Coverin më të mirë 2017”,

Fituesi i festivalit është Francesco Gabbani me “Occidentali’s Karma”, por në rrjetet sociale, kënga e kantautorit shqiptar është cilësuar si një kryevepër, që do të qëndrojë përgjithnjë në muzikën italiane.

Edicioni i 67 vendosi një rekord të ri në audiencë.

Prej 2002-it, nuk arrinte një shikueshmëri kaq të madhe, 58 përqind. E përkthyer në shifra,Sanremo, u ndoq nga 12 milionë telespektatorë. Meritë për këtë ka edhe bashkë-prezantuesja e Carlo Contit, Maria de Filippi, një nga drejtueset e programeve më të pëlqyera në Itali, madje edhe në Shqipëri.