“Hajduti ka shumë duar”, komedia premierë me autor e regjisor Haxhi Ramën ka nisur provat në ambientet e teatrit “Aleksandër Moisiu në Durrës”. Regjisori Rama, për 6 personazhet e subjektit të tij, që zhvillohet në një lagje të zakonshme të çdo qyteti shqiptar ka ftuar nga teatri kombëtr aktorin Neritan Licaj dhe aktoren Klodjana Keco, ndërsa tabloja e personazheve plotësohet me Muharrem Hoxhën, Roland Kocën, Ervin Dokon e Vilma Hodon.

Autori i komedisë në një prononcim për “Durrës Lajm” pohon se fabula e komedisë me titull “Hajduti ka shumë duar e me nëntitull latinisht “In Vino Veritas”, (Tek vera është e vërteta) kërkon që të sjellë më shumë sinqeritet tek të gjithë njerëzit pa përjashtim. Personazhet e vjedhin verën, e fshehin në depozitën e ujit. Kur nisin hetimet të gjithë heshtin, por në përfundim të tyre, kur në raportin e policisë thuhet se hajduti ka ikur në drejtim të paditur, atëherë, autorët çlirohen nga ankthi, pijnë verë e dehen, flasin se si ia hodhën policisë.

“Po përpiqemi të bëjmë publikun për të qeshur, ndoshta në deri në fund të muajit prill do ta kemi gati ta vëmë në skenë këtë komedi të mrekullueshme”, thotë mes të tjerash Haxhi Rama. Rama tregon se subjektin e ka marrë në një lagje të zakonshme, ku u vodh një autobot me verë dhe u mbush depozita e ujit me verën e vjedhur. Policia nisi hetimet. Rolin e inspektorit të policisë së lagjes Kurtit, e sjell Neritan Licaj.

K.H.

Aktori Neritan Licaj është bërë si “i shtëpisë” në skenën e teatrit Mosiu, falë bashkëpunimeve të shumta në vite. Ai sjell Kurtin, policin e lagjes në rol dhe premton se publiku i Durrësit e jo vetëm, do të pëlqejë rolin e tij.

Klodjana Keco vjen në rolin e parukieres. “Është rol shqiptar. Të gjthë kemi një grua e një parukiere të tillë në lagjje. Të gjithë e gjejnë veten në këtë komedi”, thotë aktorja.