Deputeti kritik në PS,Ben Blushi deklaroi mbrëmë se nuk e njeh rezultatin e këtij referendumi që do të mbahet të shtunën. Sipas tij, ky referendum legjitimon një shkelje. Në intervistën e tij në “Tonight”, të gazetares Ilva Tare, Blushi u shpreh se me këtë referendum, praktikisht kryetarin e PS-së i bie ta zgjedhë automatikisht Ilir Meta.

Të shtunën referendumi, 81.500 anëtarë që do të votojnë. Ju për pyetjen, si mendoni?

Sigurisht që jo, kam pasur rastin të shpreh për gati dy muajt e fundit, që PS-ja duhej të mbante zgjedhjet për kreun e PS-së. Çka i jep arsyen që është i trukuar, që ky mandat është i grabitur. Shqipëria është unike, sepse nuk ka asnjë parti që kryetari të ketë një mandat 7-vjeçar. Ai thotë ‘tani nuk do bëj zgjedhje, por do bëj referendum’. Referendumi dhe zgjedhjet janë të ndryshme; në referendum votohet për çështje, kurse zgjedhjet bëhen për njeri. Është një rast unik që e bën Ramën qesharak.

Në vitin 2003 ne kemi qenë në pushtet dhe kemi pasur një kryeministër. Edi Rama në atë kohë e mori teserën 2 javë para kongresit dhe kërkoi të ishte kandidat duke shkelur rregullat. Ne kemi pasur një rregull në 2003-shin, që, të jesh kandidat për kryetar partie duhet të kesh të paktën 40 firma, pra 10% të kongresit të PS-së; nuk i mori 40 firma, por mori vetëm firmën time. Megjithatë e lanë të futej në garë. Pra PS-ja i dha mundësi të futej në garë, por nuk i tha që, meqë unë jam kryeministër, ti nuk ke të drejtë të futesh në garë.

Pse nuk është normale që Rama të mos mandatohet?

Edi Rama thotë që mandati i kryeministrit nënkupton mandatin e kreut të PS-së. Statuti thotë që zgjedhjet për kreun e PS-së bëhen një herë në 4 vjet.

Si po i matni mbështetësit?

Bëjmë zgjedhje për të matur sa veta mbështesin Ramën dhe sa jo. Referendumi nuk nënkupton zgjedhje për njeriun. Sipas statutit të PS-së, 2 muaj para kongresit dhe dy muaj pas nuk ka referendum. Kjo nuk po ndodh, sepse ne kemi referendum 3 javë pas kongresit. E gjitha është një truk dhe manipulim i pastër. Qëllimi është që Rama të marrë mandatin pa zgjedhje. Keni parë njeri të marrë mandat pa zgjedhje?!

Mbështetësit tuaj, do ta bojkotojnë referendumin?

Unë kam thënë që nuk do të marr pjesë në referendum. Sepse është një shkelje.

Kam kërkuar listat e zgjedhësve, s’janë dhënë. Kam kërkuar të kem vëzhgues, nuk janë dhënë. Kam kërkuar të ketë numërues e nuk më janë dhënë. Për sa kohë janë dy opinione, duhet garantuar edhe e drejta e palës tjetër. Është vetëm një palë që ka komisionet, vëzhguesit, numëruesit.

Domethënë, ata që do të votojnë të shtunën, janë vetëm nga pala tjetër?

Vota e tyre nuk do numërohet. Është parimi stalinist: S’ka rëndësi sa votuan, po kush numëron.

I kam kërkuar këto në mbledhjen e grupit parlamentar se është i vetmi forum që mblidhet. Të gjitha këto janë mohuar. A mund të ketë vëzhgues kur nuk ka as qendra votimi?! Më në fund sot një zëdhënëse e Rilindjes tha se marrin pjesë 81 mijë. Kjo e rrëzon kongresin. Pra numri i sotëm rrëzon të gjitha vendimet që janë marrë. Sepse është një kongres me 84 mijë anëtarë që kanë prodhuar 940 delegatë, kur lista në fakt qenka, siç u tha, sot 81 mijë vetë. E di pse është bërë kjo? Për të ulur, është ulur numri; në fakt ky është numër real, unë besoj më shumë se janë 81 mijë sesa 94 mijë, ai është i trukuar për të rritur artificialisht kongresin, sepse i ka zënë paniku i pjesëmarrjes. Referendumet quhen të vlefshme vetëm nëse 51% votojnë. Sepse, natyrisht, nëse në Shqipëri votojnë 52, 53, 54, 55, 56% në PS, i dalin që 95% e socialistëve votokan; po pse socialistët votojnë më shumë se shqiptarët? Pra është e trukuar!

Nuk po flasim për Edi Ramën, por për kryetarin e PS… Nëse partia është në pushtet dhe kryetari është kryeministër, a konsiderohet i rinovuar automatikisht mandati?

Nëse nesër ka parlament, ne jemi në koalicion, ne nuk jemi një parti autonome në kuptimin parlamentar të fjalës, pra nuk kemi 71 mandate, por kemi 62-63, pjesën e mbetur të mandateve i ka një parti tjetër. Sot është e mërkurë, nesër është e enjte; nëse LSI-ja del nga koalicioni siç ndodhi, sepse ka ndodhur. A doli LSI-ja nga koalicioni me Berishën në 2013-ën, 3 muaj para zgjedhjeve? E zëmë se LSI-ja del prapë nga koalicioni, ky kryeministër rrëzohet në parlament sepse nuk i ka numrat për të qeverisur. A mund t’ju pyes kush është kreu i PS-së në ato momente?

Sipas jush, kush do jetë?

Nuk e di, prandaj them që kjo është një pyetje idiote, sepse i jep kryeministrit mandatit e kreut të PS-së, çka nuk mund ta ketë.

Kjo që po thoni është hipotetike…

20 deputetet e LSI-së që mbajnë qeverinë në fuqi dhe kanë të drejtë të zgjedhin kryeministrin, nëse këta tërhiqen votat e 81 mijë anëtarëve, rrëzohen. Sipas pyetjes: Nëse kryeministri rrëzohet, kush është kreu i PS-së…

Socialistët mund të votojnë të shtunën, por duhet të dinë që këtë të drejtë nuk e kanë marrë vetë, pra nuk kanë zgjedhur dot kryetarin e partisë së tyre, por ia kanë deleguar Ilir Metës. Pra ia kanë dhënë të drejtën Ilir Metës për të zgjedhur kreun e PS-së.

Në vitin 2013, meqë Edi Rama ishte kryetar i PS-së, e cila fitoi zgjedhjet, automatikisht ishte kryeministër. Në vitin 2016, është e kundërta dhe thotë, ‘meqë jam kryeministër duhet të jem edhe kryetar i PS-së’.

Ndërkohë, kongresi votoi statutin e ri. A nuk i rrëzon ky pretendimet tuaja?

Statuti është si një ligj. Në parlamentin e Shqipërisë, me sa kam unë eksperiencë, nuk ka asnjë ligj i cili mund të votohet në parim. Ligji ka disa nene. Dhe ky statut është një ligj, një normë. Ky statut u votua vetëm në parim dhe jo nen për nen. Nëse ne në parlament do të votonim një ligj në parim dhe jo nen për nen, ai ligj nuk hyn në fuqi. Unë isha kundër. Unë kam kërkuar të ketë votim për çdo nen. Po të kthehemi mbrapsht në historinë e PS-së, statuti votohej me votim të fshehtë. Vetëm atëherë do të kuptonim mbështetjen. Dhe e dyta, çka e bën Edi Ramën është norma që ka ndryshuar në shtypshkronjë. Ky statut ishte ndryshe i paraqitur dy javë më parë në Asamble, dhe na erdhi një variant tjetër, që kryetari i PS-së jep dorëheqjen kur partia humb zgjedhjet. Kështu e kanë edhe laburistët. E dini si përfundoi ky statut? I ndryshuar në shtypshkronjë? Ndryshoi: Kur Partia Socialiste nuk del forcë e parë në zgjedhje, kryetari jep dorëheqjen. Prapë i lihet LSI-së në dorë fati i PS-së. Nëse LSI-ja ikën nga koalicioni, Edi Rama rri prapë aty. Edi Rama është futur në një absurditet logjik. Nëse Ilir Meta ikën në 2017-ën nga koalicioni, unë prapë rri në krye se s’kam çfarë të bëj.

Referendumi është të shtunën?

Çfarë referendumi?! S’ka referendum! Është një shifër e shkruar në tryezën e Edi Ramës.

Pse zgjodhët ta bënit në publik këtë fushatë?

Sepse nuk ka asnjë strukturë të PS-së në fuqi.

Grupi mblidhet çdo javë…

Grupi mblidhet, por merret me çështjet e parlamentit.

Nuk keni pasur asnjë mundësi?

Jo unë, po askush nuk ka pasur asnjë mundësi, se s’është mbledhur asnjë forum, as kryesi, as asamble. Çfarë kam kërkuar unë? Unë kam kërkuar vetëm zgjedhje. A mund të penalizohet një njeri sepse kërkon zgjedhje?!

Një nga ato për të cilat ju kritikojnë është se përse e bëni tani këtë kërkesë?

Unë prita 3 vjet derisa u mblodh një asamble.

Çfarë pritët, marrëve-shjen e radhës me Ramën?

Ata që mendojnë ndryshe nga unë, janë të gjithë shkelës ligji dhe normash. Nuk kam fare debat me ta, sepse ata janë vartës. Të gjitha këto që ju cituat janë teza të Rilindjes. Rilindjen unë nuk e njoh. Në fletën e votimit dhe në fushatën time nuk kam folur asnjë ditë për Rilindjen. Sepse nuk kam pasur ndonjë shpresë se Rilindja mund t’i sillte ndonjë gjë të mirë Shqipërisë. Është e gjitha një faliment moral. Është një pushtim i një partie, për të pushtuar një qeveri.

Ky është një mandat i grabitur dhe nuk mund ta legalizoj.

Çfarë do bëni ju pas këtij referendumi?

Sigurisht do të vazhdoj të jem anëtar i PS-së, jo i Rilindjes.

Pse jo?

Nëse Rilindja është një grup politik, anëtarët e saj janë rilindistë.

Keni një kalendar takimesh pas referendumit. Çfarë synoni të bëni?

Sigurisht do jem shumë aktiv pas referendumit. Sepse ajo nuk do të jetë dita e fundit. Sepse nevoja për ta kthyer shkeljen nuk mbaron ditën që shkelja bëhet normë. Do flas me të gjithë socialistët e Shqipërisë për t’u shpjeguar se çfarë nuk shkon mirë, sa keq po qeverisen Shqipëria dhe PS-ja.

A është shenjë demokracie që ju keni mundësi ta bëni këtë?

Pse, çfarë do më bëjë PS-ja mua, do më fusë në burg?! Statutit që kanë kaluar në Kongres i ka mbetur vetëm një nen pa shkruar që të sanksiononte policinë dhe burgun. Po ta kishte, unë mund të kisha përfunduar aty.

Nëse nga këta 81 mijë anëtarë, 71 mijë votojnë pro në referendum, çfarë do të bëni?

Unë nuk e njoh rezultatin. Do t’i referohem si shaka rezultatit, po jo si një e vërtetë. A keni parë një njeri që inicion referendum dhe nuk bën fushatë?!

Ka dalë në fushatë zoti Klosi…

Këta janë vartësit. Ky njeri që inicioi referendumin, nuk doli një ditë në fushatë. E dini pse nuk ka fushatë? Për shkak se ky që e inicioi, e ka rezultatin në tryezë.

Ju kërkua të kandidoni për kryetar. Pse nuk mblidhni 10% të firmave?

Kjo që thoni ju nuk vlente për këto zgjedhje. Kjo nuk kishte fuqi prapavepruese. Kjo vlente për atë që thashë, që, nëse një ditë Ilir Meta del nga koalicioni, hapet gara. Kjo normë mund të hyjë në fuqi ditën që do ketë zgjedhje. Nëse Ilir Meta ikën nesër nga ne, atëherë kjo normë mund të aplikohet dhe unë mund të hyj në zgjedhje, por në rast të kundërt nuk ka. Ky statut i la të drejtën Ilir Metës të zgjedhë kryetarin e PS-së në mënyrë automatike.

Po mund të jetë një tjetër?

Po, keni të drejtë, mund të jetë Shpëtim Idrizi. Ose mund të jetë Sali Berisha.

Nëse Rilindja dhe PD-ja e Sali Berishës bëjnë koalicion me Rilindjen e Edi Ramës, larg qoftë në vitin 2017, e dini ç’do të thotë për socialistët?! Që kryetarin e PS-së ta zgjedhin Sali Berisha dhe Lulzim Basha.

Çfarë do bëni pas referendumit?

Do kërkoj që gjithçka është bërë keq të zhbëhet, që PS-ja të kthehet në parti normale.

Do të dilni nga PS-ja?

Është e sigurt që unë kam dalë dhe do të dal nga Rilindja. Do ta konsideroj një fatkeqësi politike. Rilindja dhe PS-ja nuk kanë për të qenë asnjëherë e njëjta gjë. Do konsiderohet falimenti më i madh politik.

Ju këtë e keni luftë me zotin Rama, apo jeni realisht i shqetësuar për fatet e vendit?

Unë jam një qytetar i angazhuar që nga viti 1991. Nga ky vit e deri më sot, ka pasur shumë pak ditë kur kam qenë i paangazhuar. Në 1991-shin kam dalë me studentë të tjerë. Në këta 25 vjet unë e kam kaluar jetën duke e kaluar në opozitë. Edhe kur kam qenë në pushtet, unë kam qenë oponent. Po them, unë jam për të mbrojtur disa parime.

Në aksionin tuaj politik, çfarë do bëni?

Aksioni im do të jetë për të bindur sa më shumë shqiptarë, socialistë më tepër, për ta flakur Rilindjen si i fundmi eksperiment politik që po na merr frymën.

Brenda PS-së apo jashtë?

Deri tani kam marrë vendim për të dalë nga Rilindja, jo për të dalë nga PS-ja.

Intervistë marrë nga Balkanweb