Përpara fillimit të takimit, mesfushori Nijaz Lena është takuar me pothuajse të gjithë lojtarët e Flamurtarit, ku ka luajtur për disa vite. 

Kur të gjithë lojtarët prisnin të fillonte takimi dhe ishin në fushë, gjyqtari anësor Çokaj, në kontrollin rutinë të rrjetës së portës së Flamurtarit, ka vërejtur një parregullsi dhe ka kërkuar rregullimin e saj. Ndeshja nisi rreth 3 minuta me vonesë. 

Në mbështetje të ekipit të Teutës, por edhe të babait dhe vëllait të tij, në tribunën e stadiumit ka qenë i pranishëm edhe Endri Magani.

Stafi mjekësor i Teutës u ka dhënë ndihmën e shpejtë lojtarëve të ekipit gjashtë herë, ndërsa ai i Flamurtarit asnjëherë. Kjo tregon lojën e ashpër të vlonjatëve.

Zv.trajneri i durrsakëve, Dervishi, në përfundim të ndeshjes është parë mjaft i mërzitur dhe nuk i është bashkuar ekipit në dhomat e zhveshjes, por ka qëndruar në stol.

Mesfushori i durrsakëve, Bruno Dita, që ka humbur sezonin për shkak të një dëmtimi, e ka ndjekur takimin ndaj Flamurtarit në tribunë.