Një dëmtim në kokë disa kohë më parë, e ka bërë Klaus Gjasulën ta shikojë ndryshe shëndetin e tij. Sot, 26-vjeçari është i vetmi futbollist profesionist në Gjermani, që mban një helmetë. Jo sepse është i dëmtuar, por për të parandaluar një dëmtim.
“Nuk e mbaj për modë, por sepse ndihem më i sigurt me të”, tregon djaloshi i lindur në Tiranë. Klausi, vëllai i vogël i ish-mesfushorit të kombëtares Jurgen Gjasula, luan në kategorinë e tretë gjermane me Stuttgarter Kickers. E lehtë nuk ka qenë për të që të mbajë këtë helmetë.
Shpeshherë kundërshtarët kanë provuar ta ngacmojnë me fjalët “vajzë” apo “ik luaj më mirë shah.” Megjithatë mesfushori nuk është ndikuar nga këto fjalë. “Pas duelit të parë mbaronin ngacmimet. Unë jam shumë agresiv në fushë”, vazhdoi ai.