17-vjeçarja Katerina Avdullai, nxënëse e shkollës “Naim Frashëri” është shpallur si më e bukura e qytetit bregdetar, ndërsa kurora e Mister Durrësit është fituar nga 20-vjeçari Erald Farruku, student i vitit të dytë për Inxhinieri. 36 konkurrentë, 18 vajza e po kaq djem, konkurruan për kurorën e të bukurit të qytetit të Durrësit, si një portë e hapur për mundësi të reja në të ardhmen e tyre.
Eventi i Mis & Mister Durrësit është mbajtur në pallatin e sportit “Ramazan Njala”, në një mbrëmje që zgjati për më shumë se 2.5 orë, me pjesëmarrje të gjerë të artdashësve dhe të rinjve që pritën me kuriozitet kurorëzimin e të rinjve fitues të garës. Dy fituesit, pas garës, kanë deklaruar se janë jo vetëm të emocionuar për kurorën e fituar, por edhe të vlerësuar nga juria dhe publiku.
Organizatorja dhe producentja e këtij spektakli Myzejen Konduri, tha se kriter për të gjithë konkurrentët ka qenë jo vetëm bukuria, por edhe mençuria e zgjuarsia e tyre. “Jo vetëm e bukur, por e mençur dhe me mirësi në shpirt, ka qenë kjo motoja e përzgjedhjes së konkurrentëve dhe e fituesve”, tha Konduri.
Çmimet u dorëzuan nga producentja Myzejen Konduri dhe zëvendësministrja e Arsimit, Nora Malaj.
Juria u kryesua nga zëvendësministrja Nora Malaj, me pjesëmarrjen e stilistit Altin Mici, Belina Budinit, e cila u dorëzoi të dy fituesve dy bursa të akorduara nga Universiteti Europian i Tiranës, që e ka kthyer në traditë këtë vlerësim për të rinjtë e shpallur Mis & Mister Durrësi. Në këtë event, të ftuar specialë ishin këngëtarët Soni Malaj, Anxhela Peristeri, Erik Lloshi, ndërsa gjimnazistja e “Leonik Tomeos” në Durrës Daniela Bumci, ka performuar me këngë në mënyrë të shkëlqyer. Grupi i valleve po kështu solli emocion tek të pranishmit në sallë.
K.H.