Polica e Greqisë ka shkatërruar një grup kriminal, anëtarët e të cilit kanë kryer krime të ndryshme si vrasje, grabitje, vjedhje shtëpish dhe makinash, në zona të ndryshme të Athinës. Nga shtatë të arrestuarit, gjashtë janë shtetas shqiptarë, ndërsa njëri është shtetas grek.

Ata akuzohen kryesisht për pjesëmarrje në organizatë kriminale, për dy tentativa vrasjeje me paramendim, dy vjedhje, një tentativë vjedhjeje, një bastisje, një zjarrvënie automjeti dhe trafikim të lëndëve narkotike. Polica e Greqisë ka sekuestruar në cilësinë e provave materiale disa armë zjarri, fishekë, 2 000 euro, bizhuteri të ndryshme, mjete të forta për të kryer vjedhjet, telefona celularë me karta SIM dhe sasi lëndësh narkotike. Midis shtetasve shqiptarë, të cilët janë të moshës nga 28 vjeç deri në 43 vjeç, ndodhet edhe një vajzë, ndërsa grupi kishte më shumë se dy vite që vepronte në disa lagje periferike të kryeqytetit grek.