Kryeministri Edi Rama ka shprehur sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të arkitektes së njohur ndërkombëtarisht, Zaha Hadid.
“U shua papritur Mbretëresha e Harqeve, ylli i arkitekturës ultramoderne, Zaha Hadid, e cila godinat i bëri xhevahire në trupin e qyteteve të botës. Lamtumirë Madhëri!”, shkruan Rama në “Facebook”.
Arkitektja e famshme britanike me origjinë irakiane, Zaha Hadid, fituese e çmimit Pritzker 2004, u nda nga jeta pas një infarkti zemre në një spital në Miami në SHBA.
Zaha Hadid në vitin 2004 u bë e para femër që fitoi “Pritzker Architecture Prize”, çmimin më të rëndësishëm në arkitekturë.
Me idetë e saj ajo ka mahnitur botën duke sjellë disa ndërtesa unike. Stili i saj unik është vlerësuar shumë dhe ajo ishte më e paguara në këtë profesion. Disa prej veprave të saj kanë hyrë tashmë në funksion, ndërsa disa të tjera janë në ndërtim e sipër.