Zvicra, Norvegjia, Suedia, Gjermania por edhe Shqipëria mund të humbasin futbollistë protagonistë në kombëtaret e tyre pasi mund të kalojnë me Kosovën. Trajneri i Përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaku, ishte në impiantin Ullevaal për të ndjekur ndeshjen miqësore ndërmjet Norvegjisë dhe Finlandës dhe për mediat nordike, konfirmoi interesimin në elementë të veçantë. Valon Berisha është një lojtar që mund të përfaqësojë Kosovën në të ardhmen sipas fjalëve të Bunjakut për televizionin norvegjez “Tv2” . Kosova pritet që në maj të jetë zyrtarisht anëtare e FIFA-s dhe UEFA-s dhe pastaj t’i jepet mundësia për t’u paraqitur në kualifikueset e Botërorit “Rusi 2018”. Përzgjedhësi kosovar i kërkon Norvegjisë që të qëndrojë larg Besart Celinës, i cili tashmë ka vendosur për të luajtur për Kosovën. “Ka mjaft lojtarë të tjerë që luajnë aktualisht për Zvicrën, Shqipërinë, Norvegjinë, Suedinë, Gjermaninë e kështu me radhë. Nëse ata do vijnë tek ne, ende nuk e di. Por, ata do të vendosin vetë për karrierën e tyre. Jam për një zgjedhje demokratike në këtë situatë”, ka thënë Bunjaku.

 “Sapo Kosova të bëhet anëtare e FIFA-s dhe UEFA-s, me siguri të gjithë lojtarët që kanë origjinë nga Kosova do të kenë mundësinë për të luajtur për Kosovën. Nacionalizmi dhe ndjenja kombëtare është e rëndësishme, por kjo nuk ndikon në projektin tonë. Mendoj se motivi për të bërë diçka interesante është gjëja më e rëndësishme që kemi”, tha trajneri kosovar.