Presidenti i Republikës, Bujar Nishani në një intervistë të dhënë dje për TV Klan deklaroi se ligji i ri i kthimit dhe kompensimit të pronës, i miratuar nga qeveria, po vë në dyshim vokacionin europian të Shqipërisë. Miratimin e këtij ligji, kreu i shtetit, e cilëson si shkelje që qeveria po i bën një prej 5 prioriteteve për hapjen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Presidenti e konsideron si shprehje të një presioni të hapur të qeverisë ndaj Gjykatës Kushtetuese deklaratën e ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani, se gjykata nuk duhet ta pezullojë këtë ligj, që sipas tij, praktikisht ka hyrë në fuqi dhe po zbatohet.
Z.President keni bërë një vizitë zyrtare në Strasburg ku keni takuar shumë personalitete dhe autoritete të Bashkimit Europian. Cilat ka qenë çështjet kryesore që keni diskutuar? Cilët kanë qenë shqetësimet e tyre që ju kanë paraqitur?
Takimi i rëndësishëm ishte ai me Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Europës, me të cilin së pari ndamë vlerësime të përbashkëta për bashkëpunimin e deri më tanishëm mes Shqipërisë dhe KiE-s në të gjitha fushat dhe aspektet. Takimi shumë i veçantë ishte me Presidentin e Kongresit të Autoriteteve Lokale, i cili ndau njëkohësisht me mua jo vetëm angazhimet, por edhe disa shqetësime dhe një vëmendje të veçantë që Kongresi i Autoriteteve Lokale po i kushton reformës së decentralizimit dhe reformës së pushtetit vendor dhe administratës vendore në Shqipëri. Tashmë jemi njohur me disa shqetësime konkrete pas ndërtimit dhe bërjes së një harte të re të ndarjes territoriale administrative në Shqipëri, e cila për fatin e keq nuk është pasuar me akte ligjore dhe me hapa të tjera që do të fillonin procesin e demokratizimit, decentralizimit dhe dhënies së kompetencave reale pushtetit vendor me qëllim ofrimin e shërbimeve më cilësore, më të afta dhe të drejtpërdrejta të administratës vendore për qytetarët. Takimi me Presidentin e ri të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut kishte një veçori dhe një dimension shumë të rëndësishëm përsa u takon proceseve të shumta që Gjykata Europiane po shqyrton në zgjidhje të konflikteve midis qytetarëve shqiptarë dhe shtetit shqiptar dhe agjencive dhe institucioneve të ndryshme të shtetit shqiptar.
Besoj një çështje e rëndësishme pikërisht për Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut është edhe ajo e pronave. Keni diskutuar për këto?
Çështja e njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronës së sekuestruar nga regjimi i kaluar komunist në Shqipëri është një çështje shumëdimensionale jo vetëm në Shqipëri, por është në radhë të parë në shpirtin, standardin dhe frymën evropiane. Padyshim që Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut një nga çështjet më të shpeshta që ka shqyrtuar ka qenë pikërisht mbrojtja e të drejtave dhe lirive të individit në Shqipëri në raport me pronën. Ndava me të shqetësime shumë serioze pasi jo vetëm që nga pikëpamja administrative gjatë këtyre tre viteve të fundit, agjencia përkatëse ka bllokuar tërësisht procesin e njohjes dhe kthimit të pronës te pronari i ligjshëm duke refuzuar zbatimin e Kushtetutës, duke refuzuar zbatimin e ligjeve çka përbën një abuzim të pastër dhe të rëndë me detyrën. Por ajo që është më shqetësuese ka të bëjë me faktin e ligjit të ri, të miratuar nga qeveria shqiptare, i cili është një ligj ku për herë të parë, zyrtarisht dhe publikisht, përfaqësohet dhe shprehet një qëndrim antieuropian të një qeverie në Shqipëri. Pse e them “një qëndrim antieuropian”? Për këdo ka qenë e pabesueshme që sot ne të prodhojmë e të kemi një ligj, i cili parashikon dhe kërkon që një trupë dhe një agjenci administrative qeveritare të rishikojë dhe të ndryshojë vendimet e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Besoj se çdo njeri normal që do të marrë në konsideratë këtë lloj realiteti jo vetëm që do të tronditet, por do ta ketë të vështirë që të reagojë pa e konsideruar këtë si një qëndrim antieuropianist. Praktikisht duke vendosur që një agjenci administrative rishikon dhe ndryshon vendimet e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut do të thotë që Shqipëria, qeveria shqiptare praktikisht ka abroguar dhe nuk njeh më Konventën Europiane. Për më tepër që çështja e njohjes dhe kthimit të së drejtës së pronës te pronari është një nga pesë përparësitë kyçe të procesit të integrimit të Shqipërisë. Është një nga pesë detyrat, një nga pesë detyrimet që BE i ka vënë Shqipërisë për të plotësuar në procesin e integrimit evropian për hapjen e negociatave. Refuzimi që bëhet përmes ligjit aktual për të njohur dhe për të kthyer të drejtën e pronës te pronari automatikisht ka refuzuar zbatimin e njërës prej këtyre pesë përparësive dhe pesë kërkesave kryesore që BE i ka adresuar Shqipërisë si kushte për hapjen e negociatave dhe vazhdimin e procesit të integrimit të Shqipërisë. Që do të thotë aktualisht me këtë ligj është një shprehje e refuzimit të ecurisë së mëtejshme të Shqipërisë në rrugën e integrimit europian. Kjo për mua është shumë e rëndë. Ky është një shqetësim shumë i madh, sepse është një vullnet dhe një shprehje politike e një qeverie të caktuar. Natyrisht kjo bëhet përmes një akti ligjor, por në fund të fundit janë aktet ligjore ato të cilat përcjellin frymën politike, përcjellin qëndrimin politik. Është padyshim një çështje, e cila kërkon një reflektim shumë të thellë, shumë të rëndësishëm nga të gjithë aktorët e shoqërisë. Presidenti i Republikës do të vazhdojë të mbrojë frymën europianiste të Shqipërisë, të këmbëngulë dhe t’u bëjë thirrje qytetarëve të Shqipërisë se vetëm rruga e integrimit europian është rruga dhe alternativa e vetme për Shqipërinë dhe shqiptarët. Për shqiptarët dhe Shqipërinë nuk ka alternativë tjetër përveçse procesit të integrimit në BE. Kushdo që do të mendojë ta pengojë Shqipërinë, të ndryshojë rrugëtimin e saj europian, jam i bindur se do të dështojë në radhë të parë për shkak të vullnetit dhe orientimit perëndimor dhe europian të popullit në tërësi.
Z.President, ju e keni dërguar Ligjin e Pronave pikërisht në Gjykatën Kushtetuese dhe pritet që kjo gjykatë të marrë një vendim, por ndërkohë qeveria me anë të ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani thotë që ligji është vënë në zbatim dhe Gjykata Kushtetuese nuk duhet ta pezullojë këtë ligj. Ju e keni konsideruar këtë si presion ndaj Gjykatës Kushtetuese…
Nuk ka asnjë diskutim dhe argument që e hedh poshtë faktin se ky është një presion i hapur jo vetëm politik, por në këtë rast është një presion publik përderisa kuraja e presionit ndaj Gjykatës Kushtetuese, e cila deri më tash ishte konsideruar si një gjykatë që kishte ruajtur një standard pavarësie dhe integriteti, e cila aktualisht po refuzon të marrë një vendim për pezullimin e këtij ligji që përcjell përveç të tjerash, edhe frymën antieuropiane të atyre që e kanë prodhuar dhe paraqitur këtë ligj, tregon që kapja politike e gjykatës po kthehet në një shqetësim serioz dhe mbërritja deri te kapja politike e Gjykatës Kushtetuese komprometon shumë rëndë procesin e reformës në drejtësi. E minon realisht procesin e reformës në drejtësi. E bën tërësisht të pabesueshëm çdo angazhim dhe çdo deklamim për të reformuar sistemin e drejtësisë. Pra ndodhemi në një situatë shumë serioze. Ndodhemi në një situatë shumë shqetësuese në mënyrë të tillë që kjo kërkon një qëndrim të drejtpërdrejtë të aktorëve shqiptarë, por natyrisht të gjithë aktorët e përgjegjshëm të shoqërisë shqiptare duhet të bashkëpunojnë ngushtësisht me instrumentet ndërkombëtarë dhe evropianë veçanërisht, të cilët janë garantët e demokracisë, janë garantët e standardeve të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut që janë garantët e rrugës europianiste të Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Duket se ditët e fundit palët politike, mazhoranca dhe opozita për reformën në drejtësi, duket sikur u ndanë përsëri. Prapë nuk po gjejnë konsensusin për reformën në drejtësi. Ju keni cytur shpeshherë që konsensusi, bashkëpunimi duhet të mbizotërojë mbi ndarjet politike le të themi?
Politikisht dhe publikisht është shprehur nga të gjithë aktorët politikë në Shqipëri domosdoshmëria, nevoja dhe gatishmëria për t’u përfshirë në procesin e reformës së sistemit të drejtësisë, i cili ka nevojë të reformohet, por reforma nis te depolitizimi. Reforma nis te largimi i ndikimit tërësisht politik të grupit politik, të klasës politike mbi sistemin e drejtësisë. Rekomandimet që erdhën nga Komisioni i Venecias ishin padyshim një pikë shumë e mirë orientuese, e cila duhet të vazhdojë të mbetet si pikë orientimi për Parlamentin shqiptar, për partitë politike në parlamentin shqiptar për të qasur parimet e efiçencës, të pavarësisë, dhe të përgjegjësisë dhe të përgjegjshmërisë të sistemit të drejtësisë në raport me qytetarin dhe në raport me ligjin. Por kur shohim që kapja politike shkon deri te Gjykata Kushtetuese, atëherë kjo e minon besimin që mund të ketë një proces kaq i rëndësishëm dhe kaq jetik. E komprometon rëndë jo vetëm qëllimin, por edhe vetë përfshirjen e aktorëve të veçantë e të caktuar në atë që ne kërkojmë si reformë në sistemin e drejtësisë.
Ju thoni që duhet depolitizimi i sistemit, por një faktor që do të mundësonte depolitizimin është Byroja Kombëtare e Hetimit, e cila do të hetonte korrupsionin në nivele të larta, por gjithashtu edhe do të ndikonte pikërisht tek depolitizimi. A jeni edhe ju dakord që ky organizëm duhet të jetë i pavarur?
Padyshim që në radhë të parë duhet menduar që mekanizma të tillë realisht të jenë të pavarur. Byroja Kombëtare e Hetimit është një mekanizëm dhe një gjetje e një propozim pozitiv në gjykimin tim që qoftë grupimet dhe partitë politike, qoftë edhe partnerët tanë e kanë rekomanduar dhe e kanë fokusuar si një zgjidhje, e cila do të japë. Dhe unë besoj se një instrument i tillë profesional, tërësisht i pavarur dhe jashtë influencave dhe ndikimeve politike do të japë vërtet rezultate pozitive në luftën kundër krimit të organizuar, që është bërë shqetësues, shumë serioz gjatë kohëve të fundit në Shqipëri, por edhe korrupsionit në nivelet më të larta, të administrimit të pasurive vlerësuese, ekonomike dhe financiare të vendit. Natyrisht që ndërtimi i një mekanizmi të tillë duhet të garantojë në radhë të parë profesionalizmin. Duhet të garantojë së dyti paanshmërinë dhe duhet të garantojë patjetër edhe integritetin e atyre anëtarëve, të cilët do të jenë pjesë e funksionimit të këtij mekanizmi. Unë besoj se janë të gjitha mundësitë për të ndërtuar një mekanizëm të tillë. Tashmë padyshim që i mbetet një lloj përgjegjshmërie dhe përgjegjësie në angazhim vendimmarrjes së Parlamentit shqiptar, të grupeve parlamentare, të cilët në frymën e rekomandimeve të Komisionit të Venecias duhet të gjejnë edhe zgjidhjen përfundimtare të kësaj çështjeje. Dhe unë besoj se do të kenë mbështetjen e plotë të Presidentit të Republikës në këtë rrugëtim.
Intervistë marrë nga Tv Klan