Thellë në memorien tonë të ngulitura, së bashku me emocionet që marrim nga shfaqjet teatrore nga aktorët me lojën e tyre në skenë, janë edhe kostumet e aktorëve, herë të larmishme e herë të çuditshme, si karakteret që ato zbulojnë. Kostumet zbulojnë pjesën e karakterit të pesonazhit e jo rrallë herë na kanë lënë gojëhapur.

Teatri “Aleksandër Moisiu” i Durrësit ka një histori 63-vjeçare dhe po kaq të vjetër ka edhe garderobën e tij me veshjet unike. Është ajo pjesë gati-gati mistike, ku pak gjëra merren vesh, çfarë kanë veshur aktorët dekada më pare.

Ku i kanë gjetur kostumet e tyre? Si i kanë realizuar? Ku ndodhen ato tani? Si dhe ku i realizojnë veshjet e tyre aktorët, që së bashku me regjisorin e skenografin përbëjnë atë ansambël të shfaqjes që na serviret në skenë?

Garderobistja dhe rekuizitierja e Teatrit “Aleksandër Moisiu” prej gjashtë vjetësh është një vajzë e re dhe e apasionuar, Lira Zahiri. Atë e gjen të zhytur kokë e këmbë në punë me të rinjtë e Shkollës së Mesme të Përgjithshme “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” para shgaqjes së tyre “Romeo dhe Zhulieta”. Ajo është duke pregatitur veshjet me të cilat do të zbresin në skenë të rinjtë, në një shkaqje që vjen moderne. Por, çfarë veshjesh kanë përdorur aktorët në vite? Çfarë ka garderoba e teatrit? Këtë na e tregon vetë rekuizitierja Lira Zahiri.