*Mikpritja durrsake abandonohet nga të gjithë titullarët vendorë!

Për 18 vite me radhë Durrësi i ka kthyer në traditë kremtimet për festën e pranverës “Mikpritja durrsake”, që mbahen më 21 mars. Gjatë programit me rastin e ceremonisë traditë, janë nderuar aktorja ikonë e skenës shqiptare Margarita Xhepa, me titullin “Fisnikëria e qytetit të Durrësit”, me të njëjtin titull është nderuar edhe Stefan Pinguli, ndërsa biznesmeni Blerim Kokomani me titullin “Nderi i qytetit të Durrësit”, në një ceremoni ku morën pjesë shumë artdashës e qytetarë durrsakë e miq të tyre. Gazetari Bujar Qesja dhe sekretari i përgjithshëm i shoqatës Durrësi Shpëtim Metani u kanë dorëzuar titujt tre personaliteteve.

Asnjë prej titullarëve vendorë nuk “përfilli” tri figura, Nderin e Kombit Margarita Xhepën, dhe dy biznesmenë të njohur kombëtarë teksa nderoheshin me tituj nga bashkia e Durrësit. Është për të ardhur keq, teksa një ikonë e skenës shqiptare si Margarita Xhepa nuk u nderua nga asnjë prej titullarëve të hierarkisë të Durrësit, të cilët abandonuan Mikpritjen Durrsake. Kjo festë që mban emrin ‘Mikpritja Durrsake”, vetëm e tillë nuk u ndje për të ftuarit. 

Kryebashkiaku Vangjush Dako ka munguar këtë radhë në këtë aktivitet, ku pjesëmarrja e Margarita Xhepës është më shumë se një nder që i bëhet qytetit të Durrësit, sesa aktores që është vlerësuar më herët me titujt më të lartë, “Nderi i Kombit”.

Ky aktivitet i njohur me emrin “Mikpritja Durrsake” organizohet nga shoqata Durrësi me mbështetjen e Bashkisë së Durrësit. Në fillim është mbjellë rrënjë trëndafili në lulishten pranë Bashkisë së Durrësit, një gjest simbolik për ardhjen e pranverës.

K.H.