Nga Europa tek titulli kampion. Teuta-Partizani e kësaj të diele nuk është një sfidë si gjithë të tjerat pasi në lojë është kualifikimi në Europa League për sezonin e ardhshëm për sa i përket durrsakëve, dhe titulli kampion që në kampin e Kuq mungon prej 23-vitesh sa i takon Partizanit.

Ishte data 23 dhjetor 2015, kur një gol i Lukic drejtpërdrejt nga një goditje standarde i jepte një fitore shumë të rëndësishme Teutës brenda në kryeqytet, me skuadrën durrsake që i shkaktoi humbjen e parë sezonale, Partizanit në shtëpi. Por ajo ndeshje nuk do të mbahet mend vetëm për këtë statistikë interesante, por edhe për faktin se ishte sfida e fundit e Sulejman Starovës në stolin e Partizanit. Pak ditë më pas  60-vjecari u largua nga pankina e 15-herë kampionëve duke marrë një post drejtuesi në klubin e Kuq për t’i lënë vendin në drejtimin e skuadrës italianit Agostinelli.

Që nga ai takim, Partizani nuk ka pësuar më asnjë humbje në kampionat duke grumbulluar në total 16 pikë në 8 javë megjithatë edhe Teuta ka bërë shumë mirë pasi numëron 14 pikë në 8 sfidat e fundit dhe ka shanse të mëdha për t’u pozicionuar në vendin e tretë në fund të sezonit. Pavarësisht se të Kuqtë janë një skuadër me pretendime shumë më të mëdha se Djemtë e Detit dhe kanë investuar shifra të mëdha për të afruar në ekip futbollistë me emër, Partizani duhet ta ketë frikë Teutën për atë që përfaqëson.

Me një trajner si Gugash Magani dhe me një skuadër të përbërë në masë nga djem shumë të rinj në moshë durrsakët me meritë kanë grumbulluar po aq pikë se Kukësi dhe ndajnë me verilindorët vendin e tretë. Në fazën e parë ishte një gol i Trashit, 18 minuta përpara fundit që i dha tri pikët Partizanit brenda në “Niko Dovana”, por që nga ajo periudhë situata ka ndryshuar shumë në të dy kampet.

Me kalimin e javëve, Teuta është kthyer në një skuadër më cinike dhe e vështirë për t’u carë në mbrojtje, ndërsa Partizani ka pasur jo pak probleme në ndeshjet në transfertë pasi në 5 sfidat e fundit jashtë shtëpisë ka fituar vetëm ndaj Bylis-it. Me pak fjalë, në një sfidë të tillë direkte ku të dyja skuadrat hynë në fushë me objektiva të rëndësishëm shanset për fitore janë 50 me 50.