Georgina Rodriguez ka reaguar pas valës së komenteve negative që pushtuan rrjetet sociale për pamjen e saj fizike, pas publikimit të disa fotografive me rroba banje. Modelja dhe influencuesja vendosi t’u përgjigjet kritikëve me një mesazh të gjatë, duke theksuar se vlera e një njeriu nuk matet nga pamja e jashtme apo nga opinionet e të tjerëve.
Teksa ndau edhe disa prej fotove që kishin nxitur debat, Georgina foli hapur për ndryshimet që ka pësuar trupi i saj dhe për mënyrën se si i përjeton komentet.
Trupi im do të ndryshojë, siç ndryshojnë të gjitha trupat e grave. Dhe shpresoj që kjo të vazhdojë të ndodhë për shumë vite që do të vijnë, sepse kjo do të thotë që unë jam ende gjallë. Jam nënë e gjashtë fëmijëve të mrekullueshëm, tre prej të cilëve janë vajza që një ditë do të bëhen gra të shkëlqyera. Dhe nëse ka një gjë që dua t’u mësoj atyre – së bashku me Cris-in, për të cilin jam thellësisht krenare për vlerat që ai mishëron si baba dhe si burrë – është se vlera e një personi nuk mund të varet kurrë nga pamja e tij fizike apo nga mendimet e të huajve-u shpreh ajo.
Georgina tha se përpiqet çdo ditë t’u transmetojë fëmijëve të saj vlera të shëndetshme dhe një mënyrë pozitive të të menduarit, gjë që, sipas saj, e ndihmon edhe vetë të përballet me presionin e vazhdueshëm të rrjeteve sociale.
Ajo tregoi se komentet për trupin e saj e kishin shqetësuar aq shumë, sa kishte vendosur të fliste edhe me partnerin e saj, Cristiano Ronaldo.

Në ditët e fundit, kam parë lloj-lloj komentesh për disa foto të mia në varkë. Disa njerëz komentojnë për trupin tim, të tjerë më mbrojnë. Fola me Crisin për këtë dhe i thashë: ‘Jam e shqetësuar se po më quajnë të shëndoshë tani, sepse jetoj sipas imazhit tim’. Dhe ai u përgjigj: ‘Ti nuk jeton sipas imazhit tënd. Ti jeton sipas asaj që je. Gruaja perfekte. E bukur, me një trup të mrekullueshëm, një nënë, një person i mirë, e suksesshme dhe që jeton një jetë plot dashuri. Çfarë më shumë mund të dëshirosh? Është normale që njerëzit të të kenë zili’-rrëfeu ajo.
Modelja theksoi se secili ka nevojë për njerëz që t’i kujtojnë se çfarë ka vërtet rëndësi në jetë, sidomos kur përballet me kritika të vazhdueshme.
Sipas saj, debati për trupin e saj përsëritet pothuajse çdo verë, duke ngritur pikëpyetje mbi standardet e bukurisë që vazhdojnë të imponohen.
Është qesharake që kjo ndodh çdo verë. Çdo vit trupi im është përsëri në lajme. Dhe pastaj pyes veten… ku është standardi? Kush vendos se çfarë është një trup ‘i duhur’? A mendojmë ende vërtet se lumturia ka një madhësi? Unë stërvitem sepse më bën të lumtur. Sepse jam e apasionuar pas saj. Sepse ajo orë në palestër është një nga momentet më të mira të ditës sime. Më jep shëndet, paqe, disiplinë, energji dhe mirëqenie. Nuk ka qenë kurrë një luftë për mua të humbas peshë; ka qenë gjithmonë një mënyrë për t’u kujdesur për veten time-tha ajo.
Në fund të mesazhit, Georgina nënvizoi se ndihet mirë me veten dhe nuk ka ndërmend të ndjekë standarde të imponuara nga të tjerët.
Për mua, suksesi i vërtetë nuk ka qenë kurrë përshtatja me një standard që askush nuk e di se kush e ka shpikur. Suksesi i vërtetë është të jetosh në paqe. Të rrethohesh me njerëz që i dua. Të kënaqesh me familjen dhe miqtë. Të kujdesesh për shëndetin tim. Të qeshësh. Të mësosh…





