Sopranoja shqiptare Ermonela Jaho, e cila ka disa javë që performon në Operan Mbretërore të Londrës me “Triptikun” e Puccini-t, në rolin e murgeshës Angelica, është e pafjalë dhe është dyzuar në reagimin e saj, pas lajmit se në shfaqjet e saj Opera Mbretërore ka thirrur disa herë, siç ndodhi edhe të martën në mbrëmje, ambulancën dhe mjekët për të ofruar ndihmë mjekësore për spektatorët, të cilët janë emocionuar dhe tronditur nga dramaciteti dhe loja mjaft e ndjerë e shqiptares.

Kjo ka ndodhur disa herë gjatë këtyre javëve dhe faktin e konfirmon Salvatore Scalzo, menaxher i Operas Mbretërore në “Covent Garden”. Ai thotë se “kemi pasur disa raste të tilla dhe kjo i dedikohet padyshim klasit të Jahos në rolin e Sur Angelica”.

“Nuk kemi pasur raste të ngjashme vitet e fundit, me aq sa kam punuar unë në këtë Opera. Ovacionet dhe duartrokitjet në sallë flasin vetë për talentin e Ermonelës”, shton më tej Salvatore Scalzo i Operas Mbretërore në Londër.

Rasti i shfaqjes së të martës përfshiu një grua, e cila kishte pasur një histori të ngjashme me rolin e sopranos shqiptare. Kur kishte qenë e re, ajo kishte mbetur shtatzënë, i kishin marrë fëmijën dhe e kishin mbyllur në një konventë. Pak a shumë ky është edhe roli i Ermonela Jahos si Sur Angelica te opera e Puccini-t.

/Top Channel