Shkrimtarja durrsake Edlira Troplini (Abdurrahmani), ka promovuar një monografi shkencore të titulluar “Çamërishtja, aty ku skajet atakohen”.
Në takim morën pjesë shumë dashamirës të kauzës çame, të cilët shohin te libri i autores Abdurrahmani, një gur më shumë në themelin e ngrehinës së përpjekjeve për të vënë në vend dinjitetin e një populli të tërë.
Autorja është shprehur se libri është fryt i një pune të gjatë kërkimore që në periudhën kur ishte studente në Universitetin e Tiranës. Ajo e cilëson këtë punim si një vepër serioze në fondin studimor të gjuhës shqipe dhe si një testament gjuhësie të çamërishtes. Libri është cilësuar edhe nga pjesëmarrësit një vlerë e shtuar në tërësinë e vlerave të kulturës dhe traditave të kësaj treve shqiptare si dhe të përpjekjeve për evidentimin e tyre.
Në takim, krahas miqve dhe të afërmve të autores, dhe kolegëve të saj studiues në fushën e gjuhësisë, ishin të pranishëm edhe Shpëtim Idrizi, deputet dhe kryetar i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, si edhe deputeti tjetër i kësaj partie, Tahir Muhedini.
K.H.
(Autorja, Edlira Troplini)





