Intervistoi Stela Likmeta
Kryetari i Partisë Demokratike të degës së Durrësit Osman Stafa, në një intervistë për “DurrësLajm”, flet mbi problematikat që ndeshet qyteti dhe i gjithë qarku i Durrësit.
Mbi situatën e rënduar që ka kaluar Durrësi kohët e fundit, ku në një hark kohor prej 2 muajsh e gjysmë janë regjistruar 5 të vrarë, 3 prej të cilëve kanë humbur jetën pas atentateve të stilit mafioz, Stafa thotë që fatkeqësisht të gjitha këto i ka parashikuar që do të ndodhnin dhe deklaron se rreziqet e vërteta që i kanosen qytetit nuk kanë filluar ende. Të gjitha këto, kryedemokrati i lidh me plaçkën e luftës, që sipas tij, individë të caktuar të cilët janë përdorur për fushatën elektorale të 2015-s nga PS-ja, do të kërkojnë nga kryebashkiaku Vangjush Dako.
Në këtë intervistë të gjatë, Stafa flet veç të tjerash edhe mbi problemet e shumta që ka sistemi shëndetësor në Durrës dhe hapat që do të ndërmarrë PD-ja në drejtim të këtij sektori të rëndësishëm.
Kryedemokrati i Durrësit komenton gjithashtu edhe strukturën e brendshme të degës që ai drejton dhe deklaron se pasiviteti që shoqëron prej kohësh drejtuesit dhe të gjithë anëtarët e kësaj dege, së shpejti do t’i përgjigjen aksionit politik demokrat. Duke pohuar dhe një herë deklaratën e tij të pak ditëve më parë që
nëse për një muaj nuk do të bëjë dhe karriget të lëvizin nga vendi, do i nxjerrë nga dritarja dhe jo nga dera,
Stafa shprehet i bindur dhe ka besimin se të gjithë do t’i përgjigjen frymës dhe aksionit të Partisë Demokratike.
Kohët e fundit, në qytetin e Durrësit kanë ndodhur ngjarje të rënda kriminale që kanë tronditur mbarë opinionin publik. Sapo shënohet një e tillë, reagimi juaj është i menjëhershëm, duke akuzuar gjithnjë se shteti dhe krimi janë një dhe qyteti është si një arenë lufte. Kujt ia veni fajin ju për këtë situatë të rëndë?
Unë nuk kam dëshirë të marr rolin e një parashikuesi apo të një orakulli, por nëse do të shikoni në koherencë komunikimet e mia, gjithmonë e kam parashikuar atë që pritej të ndodhte në Durrës, rrezikun që i kanosej qytetit. Po nga u nisja unë në cilësinë e kryetarit të PD-së në Durrës, apo në cilësinë e një qytetari që të parashikoja një rrezik të tillë?
Flas për zgjedhjet e 2015-s, pas marrjes së pushtetit nga z.Dako, detyrimisht elementet që u përdorën do t’i kërkonin plaçkën e luftës dhe kjo ndodhi. Unë shpesh i kam tërhequr vëmendjen policisë së Durrësit, për një menaxhim më të mirë të burimeve njerëzore dhe kapaciteteve që disponon.
I kam parashikuar gjatë vitit 2015 këto që kanë ndodhur në fund të 2015-s dhe këto që kanë ndodhur këtë fillim të dhimbshëm të 2016-s. Uroj që thënia ime të mos bëhet kurrë realitet, por ende nuk kanë filluar problematikat reale të qytetit të Durrësit, të cilat janë të lidhura e të ndërlidhura me plaçkën e tregut në Durrës dhe në Tiranë. Ky është një mesazh ogurzi për qytetin tonë dhe qytetarët janë të vetëdijshëm që t’i dalin për Zot fateve të këtij qyteti.
Në kodrën e Currilave u rikthye sërish problematika e rrëshqitjes së dherave. Keni deklaruar se do t’i çoni përgjegjësit para drejtësisë duke i denoncuar në Prokurori dhe në Kontrollin e Lartë të Shtetit. Mendoni që ka qenë një investim i gabuar?
Specialistë të fushës kanë qenë skeptikë mbi mënyrën si u realizua procesi i rehabilitimit. Për hir të së vërtetës, e kam vlerësuar, sepse është një investim që shkon në funksion të qytetit tim, por mënyra si u nxitua me fondet, ishte më tepër një investim elektoral. Kemi qenë skeptikë për jetëgjatësinë, për fatin tonë të keq zgjati më pak se ç’ishte parashikuar. Prita reagimin e institucioneve dhe nuk kanë reaguar. Ju siguroj që do t’i shkoj deri në fund, duke iu drejtuar qoftë Prokurorisë së Durrësit, qoftë Kontrollit të Lartë të Shtetit, që përgjegjësia e një investimi të çuar dëm në funksion të fushatës elektorale të marrë ndëshkimin e merituar. Nuk kam ndërmend që 2.4 miliardë lekë të vjetër të shkojnë dëm, në xhepat e funksionarëve apo miqve të tyre.
Sistemi shëndetësor në Durrës ndeshet me problematika të ndryshme vazhdimisht. Pak ditë më parë, departamenti i Shëndetësisë i PD-së zhvilloi një takim në Durrës me mjekë e specialistë, si dhe grupet e interesit. Cila ishte platforma që paraqitët?
Ka problematika, dhe duke ju parë drejt e në sy e pranoj që problematikat nuk kanë munguar edhe në qeverisjen e Partisë Demokratike. Unë gjej rastin që t’u ofroj falje qytetarëve durrsakë për ato që ndoshta ne nuk e kemi bërë, për ato shërbime që kemi ofruar në fushatë elektorale dhe nuk ua kemi realizuar.
Mendoni që kjo situatë është e njëjtë me kohën e qeverisjes Berisha?
Jo vetëm që nuk është e njëjtë, por ka një rënie të frikshme drastike, investime aspak të koordinuara me interesin e qytetarit.
Mjafton të themi që KLSH në fund të 2015-s ka përfunduar një akt dhe ka propozuar për largim nga puna të drejtoreshës së spitalit të Durrësit dhe askush s’e ka vënë ujin në zjarr.
Është për të ardhur keq që pothuajse në çdo sektor të shëndetësisë ka rënie drastike. Jo më larg se dy net më parë, më kanë telefonuar 3 qytetarë nga urgjenca e spitalit, ku përveç shërbimit të mjekut, asnjë lloj shërbimi s’ka pasur me ilaçet, duke filluar nga serumet dhe të gjitha me radhë. Siç më thonë qytetarët, të afërmit e pacientëve kanë shkuar e i kanë blerë vetë.
Sot sistemi i shëndetësisë është kthyer në një mollë interesash, ku i kanë futur duart që të gjithë, duke filluar nga KESH-i. Largime nga puna me motivacione të pastra politike. Ju them se ka pasur disa raste mjekësh, që vetëm për një koment që mund të kenë bërë në Facebook janë thirrur në drejtori, si dikur në kohën e Enverit. Kjo është situata sot. Jo vetëm që ka radhë, arrogancë, por korrupsioni ndoshta është primari që mund të ofrojë sot shërbimi shëndetësor ndaj pacientit. Pacienti është kthyer në një klient. Gjej rastin t’u jap një mesazh çdo punonjësi të shëndetësisë që t’u qëndrojnë presioneve dhe arrogancës së drejtuesve që komandojnë sot spitalin e Durrësit.
Gjatë këtij dimri, qarku i Durrësit është shoqëruar me përmbytje të shpeshta dhe me dëme të mëdha në zonat e përmbytura. A mendoni se duhet nxitur Bashkia e Durrësit të hartojë një masterplan për eliminimin e përmbytjeve?
Unë kam frikë se kryetarin e bashkisë jo ta nxitësh, por edhe t’i vendosësh furrën poshtë këmbëve ai e ka të vështirë t’i japë një zgjidhje. Fillimisht dua t’i referohem situatës kaotike në qytet, ku mjaftojnë disa reshje me intensitet mesatar për gjysmë orë, dhe gjithë çfarë ka nëntoka, del mbi sipërfaqe. Kjo është pjesë e një marrëzie e kryebashkiakut Vangjush Dako. Po hyn në vitin e dhjetë të drejtimit të bashkisë së Durrësit, dhe ka pasur mundësi dhe kohë pafund. Kolektorët janë të bllokuar pikërisht nga lejet e ndërtimit që ka dhënë Vangjush Dako.
Sa i përket zonave të përmbytura në Katund të Ri, në Sukth dhe së fundmi në ish-Kënetë, është për të ardhur keq, pasi nuk ka pasur asnjë ndërhyrje dhe asnjë mbështetje nga pushteti vendor apo qendror. Përjashtuar disa ndihmave nga disa organizata joshtetërore, nuk është dhënë asnjë ndihmë emergjence, jo më për dëmshpërblim.
E kam denoncuar si një përmbytje me dashje, kam pritur një reagim nga strukturat përkatëse për të përgënjeshtruar thënien time, por askush s’ka reaguar.
Si një përmbytje me dashje, për çfarë e keni fjalën?
Nuk dua të hyj në detaje, e kam shprehur në Facebook-un tim, dhe ju them që është një përmbytje me dashje.
Si mendoni se janë shpërndarë investimet publike në territorin e bashkisë së Durrësit? A janë shpërndarë fondet në mënyrë të njëtrajtshme?
Fillimisht doja që të gjithë së bashku të ulërijmë mbi mënyrën e trajtimit të mbetjeve dhe djegies së plehrave në Durrës.
Investimet e bashkisë për mënyrën e menaxhimit të plehrave janë lënë totalisht jashtë vëmendjes. Sot, siç duket po bëhen kalkulimet e miqve të Dakos, të cilët ai mendon që do t’i shërbejnë.
Sot pushteti dhe krimi bashkëjetojnë në një krevat, do të thotë që edhe pjella do të ketë nuanca të pushtet-krimit.
Së fundmi, qeveria ka shpallur fituese një studio italiane për planin rregullues të qarkut Durrës. A keni dijeni rreth këtij plani dhe në rast se po, cilat janë sugjerimet tuaja?
Kam një informacion, jo institucional, dhe për këto lloj planesh e para duhet të kishte transparencë.
Për fatin e mirë, qyteti i Durrësit ka potenciale intelektuale që janë të aftë të japin kontribute dhe mendime që mund të ishin pjesë e këtyre studimeve, por duke i dhënë gjithashtu dhe dashurinë e një banori të Durrësit për qytetarët.
Për unë besoj që po ky plan do të ketë interesa të lobinjëve të caktuar, të miqve të Ramës dhe Dakos. Këtij plani i mungon totalisht transparenca dhe është thjesht për interesat e babëzisë.
Qeveria u bën thirrje të rinjve që të ndjekin shkollat profesionale duke theksuar rëndësinë e marrjes së një zanati. Mendoni që po jeetp zgjidhje në aspektin e arsimit profesional për zhvillimin e tregut të punës?
Këtu më shumë ka fjalë dhe propagandë se sa ka ide reale në funksion të zgjidhjes së një problemi. Ky është thjesht një show mediatik, që unë do e cilësoja si qeveria e show-t.
Kryeministri Edi Rama është shprehur se vende pune ka, por mungojnë profesionistët zanatçinj.
Unë kam frikë se kryeministri i ka ngatërruar vendet e punës dhe profesionistët me nivelin e pikturave të tij dhe kërkesave për blerje. Është vështirë që një pikturë e keqe të gjejë blerës në treg. Ky është problem i kryeministrit, dhe jo i rinisë e profesionistëve shqiptarë.
Kryeministri duhet t’i japë zgjidhje dhe drejtim halleve të qytetarëve, sepse kazani po zien, elitat e profesionistëve dhe intelektualëve po largohen nga Shqipëria. Kjo tregon që kryeministri nuk është në krye të detyrës, por janë njerëzit në kërkim të nevojave të tyre, si pasojë e mosbesimit.
Shifrat e frikshme tregojnë nivelin real të plakjes së shoqërisë nga ky eksod i frikshëm që ka ndodhur në Shqipëri gjatë këtyre 2 viteve. Vetëm në Gjermani kanë kërkuar azil mbi 100 mijë shqiptarë. Këtu është përgjegjësi dhe e opozitës, e cila duhet të reagojë për t’iu përgjigjur kësaj situate të frikshme e prodhuar nga një kryeministër i papërgjegjshëm.
A duhet që qeveria të ketë ndër prioritetet e saj dhe sektorin e Bujqësisë, që të jetë një pikë kyçe e zhvillimit ekonomik në vend?
Ju cilësuat fjalën prioritet, e keqja e kësaj qeverie është se nuk di se kush janë prioritetet dhe kapacitet e mundshme që ofron sot ekonomia shqiptare dhe Shqipëria si vend. Për aq kohë sa qeveria e ka të vështirë të përcaktojë prioritetet, do të jetë e vështirë që të jepet edhe zgjidhja. Nga departamenti i Bujqësisë në PD, do të kemi pas dy javësh një takim të zgjeruar me operatorët e Bujqësisë për të nxjerrë në pah problematikat, nevojat dhe për t’u ofruar zgjidhje dhe alternativat tona për t’i shërbyer këtij sektori, që unë e quaj një nga sektorët më të rëndësishëm që ka Shqipëria, pas turizmit. Është e vështirë të kesh turizëm të suksesshëm pa bujqësi të zhvilluar.
Këtë muaj fillon zbatimi i çmimit të rritur të ujit të pijshëm. Çfarë hapash do të ndërmerrni për t’u ardhur në ndihmë familjeve, veçanërisht atyre që jetojnë vetëm me ndihmën ekonomike?
PD-ja ka qenë shumë e kujdesshme në çdo mbledhje që është realizuar në Këshillin Bashkiak apo komisione, dhe ka reaguar mjaft ashpër, por fatkeqësisht forca e katonit nuk i ka dhënë hapësirë zërit të opozitës që të vendosë. Kanë vendosur për interesa të caktuara. Do t’i përgjigjemi me një reagim qytetar për çdo përkeqësim të situatës ekonomike. PD-ja do të jetë në ballë dhe përkrah qytetarit deri në arritjen e interesave të qytetarëve.
Turizmi është jetik dhe një pikat kyçe për zhvillimin ekonomik të Durrësit. Çfarë hapash do të ndërmarrë PD-ja për të nxitur bashkinë që të fillojë sa më shpejt realizimin e projekteve për promovimin e turizmit?
Pas dy javësh, PD-ja do të organizojë një takim me specialistë dhe operatorë të turizmit, për mundësitë, rezervat dhe perspektivat e turizmit në Durrës. Është një iniciativë e ndërmarrë nga unë bashkë me operatorë të turizmit, për të gjetur modele dhe alternativa, për të thithur sa më shumë turistë.
Durrësi është qyteti i dytë më i madh në vend, i cili mirëpret dhe shumë turistë, por për fat të keq nuk ka asnjë kinema dhe jeta kulturore është e vakët…
Në ka një zë ku bashkia e Durrësit dhe Dako mburren që kanë pasur sukses, ai i referohet gjithmonë jetës kulturore të Durrësit. Siç duket, ai në kompleksin e tij është aq shumë i varfër për sa i përket kulturës sa që e ka të vështirë të bëjë dallimin midis aktiviteteve kulturore dhe ndarjes së fondeve me individë të caktuar. Vangjushi, ato pak fonde që ndan, i ndan për aktivitete të caktuara të Xhulit apo të Xhuljanëve. Mjafton të shohësh se sa pak fonde ndahen për teatrin e Durrësit, që ndoshta më shumë i kushtojnë gomat dhe nafta e makinës së Vangjushit se sa merr teatri.
Si shkoi procesi në tërësi për zgjedhjen e kryetarit të FRPD-së, dhe si e shihni ju zgjedhjen e një figure femërore?
E përshëndes procesin dhe modelin në tërësi që u ndoq për zgjedhjen e kryetarit të FRPD-së. Jam i bindur që në çdo proces, e arrira është pak e vështirë të arrihet. Është hedhur një hap i madh sa i përket formës demokratike të një procesi, ku në vetvete mund të ketë pasur dhe problematikat e tij.
A ka pasur ankesa apo hatërmbetje? Drilon Cani, në mënyrë të befasishme është përjashtuar nga mundësia e pjesëmarrjes në garë dhe në një koment shkruante se për arsyet duhej pyetur Belind Këlliçi.
Në çdo garë ka emocione. Çdo përfaqësues ka të drejtën e tij të zgjedhë e të zgjidhet. E rëndësishme është që gjatë këtij procesi janë respektuar parimet, bazuar sipas një udhëzimi dhe grupit të punës që ka menaxhuar këtë proces. Nuk besoj që në tërësi procesi të ketë pasur ndërhyrje që mund të kenë deformuar rezultatin.
Zgjedhjen e kandidatëve kush e bën?
Ka qenë një grup pune i miratuar nga PD-ja e Tiranës dhe kryetari i Forumit Rinor, që nxorën një udhëzim dhe ka qenë ky grup pune që monitoruan të gjithë procesin. Pavarësisht defekteve dhe problematikave të vogla, unë e përshëndes punën e mirë dhe të suksesshme që realizuan.
Drejtuesit dhe anëtarët e PD-së së degës të Durrësit janë pasivë dhe nuk njihen nga opinioni publik. Ju vetë jeni shprehur këto ditë që nëse për një muaj nuk do të bëni dhe karriget të lëvizin nga vendi, do i nxirrni nga dritarja dhe jo nga dera. Kujt i referoheni dhe a do e bëni realisht diçka të tillë?
Është e vërtetë që e kam thënë diçka të tillë, Partia Demokratike po përgatitet të startojë për fushatën e ardhshme elektorale, që unë mendoj dhe besoj se do të kalojmë në zgjedhje të parakohshme, për të frenuar dhe parandaluar këtë situatë të rënduar të krimit dhe të ekonomisë.
Ideja dhe koncepti ka qenë që personat që janë të zgjedhur, që përfaqësojnë një grup të caktuar dhe që kanë detyra pranë PD-së, do të jenë aktivë në funksion të pozicioneve, përgjegjësive dhe në përgjigje të interesave jo vetëm të PD-së, por edhe të gjithë qytetarëve.
Po në rast se nuk do ndodh, çfarë do të bëni konkretisht?
Në rast se nuk ndodh, do të thotë që ka njerëz të zotë, të aftë, të cilët do t’i përgjigjen interesave dhe aksionit politik të PD-së.
Do të zgjidhni të tjerë në vend të tyre?
Jo, unë besoj që nuk ka nevojë të zgjedh të tjerë, sepse jam i bindur që këta persona që disponojnë një eksperiencë dhe një nivel intelektual e qytetar, do t’i përgjigjen frymës dhe aksionit të Partisë Demokratike.
Për kë persona e keni fjalën?
Për të gjithë, duke nisur nga unë si kryetar dhe deri në fund.
Partia Demokratike është një institucion dhe funksionon si e tillë. Unë kafenë nuk e quaj institucion, por kohë të lirë.