Misioni i vështirë i kualifikimit në Allianz Arena me Bajernin e Mynihut bëhet thuajse një mision i pamundur për Juventusin. Bardhezinjtë do të udhëtojnë me tre mungesa të rëndësishme drejt Gjermanisë për sfidën e 1/8 ndaj gjermanëve.
Pas Chielinit, lajmi i hidhur për Allegrin ishte ai i dëmtimit të Claudio Marchisio-s, edhe ky i dëmtuar, ndërkohë që dihej mëdyshja për Mario Mandzukiç. Megjithatë, dhimbja e kokës do të mbërrinte paraditen e së martës për trajnerin e torinezëve, kur mjekët e skuadrës do t’i njoftonin edhe dëmtimin e Dybala-s. Argjentinasi vuan nga një lodhje muskulare në këmbën e majtë dhe nuk do të udhëtojë drejt Mynihut për të qenë gati vetëm për derbin me Torinon ditën e dielë në Serinë A. Ndërkohë, Marchisio vuan një dëmtim që do ta mbajë larg fushës të paktën 20 ditë dhe pritet që në “Allianz Arena” të zëvendësohet nga Hernanes në rolin e regjisorit të lojës.
Bajerni dhe Juventusi luajnë të mërkurën ndeshjen e dytë të vlefshme për fazën e 1/8 të Ligës së Kampionëve. Ndeshja e parë e luajtur në Torino përfundoi në barazim 2-2, rezultat ky që favorizon bavarezët.