E vërteta vonon, por nuk harron. Pas 17 vitesh, duket se vërteta në lidhje me pozitivitetin e çiklistit italian Marco Pantani në Xhiron e Italisë ka dalë në shesh. Ashtu sikurse ishte përfolur edhe më parë, ka qenë Mafia italiane ajo që ka njollosur karrierën e çiklistit italian, pozitiv me 5 qershor të vitit 1999.

Hetimet e kryera së fundi nga Prokuroria e Forli kanë konfirmuar fjalët e një të penduari në burg, që ka thënë se “qerosi nuk do ta fitonte Xhiron e Italisë”. Gjithçka u bë për shkak se në mes ishin miliarda lireta të vëna në lojë, të cilat Mafia i humbiste nga bastet ilegale. Ndaj u sakrifikua çiklisti italian. Por se si do të ndalej Pantani, që ishte hedhur në sulm drejt triumfit të atij turneu u mësua sot.

Mafia ka korruptuar një nga mjekët e kontrollit antidoping, duke e detyruar atë të manipulojë rezultatet, duke e nxjerrë çiklistin Pantani pozitiv me “ematokrit”. Sipas analizave të asaj kohe, në gjakun e çiklistit vlera e “ematokritit” ishte 51.9%, ndërkohë që nuk lejohej që ajo të kalonte shifrën e 50%.

Nga këtu nisi skandali doping që solli jo vetëm pezullimin e çiklistit nga garat, por deri në vdekjen e tij me overdozë ne një hotel disa vite më vonë. Një hetim që për fat të keq nuk mund të ndryshojë historinë e këtij sporti edhe pse familjarët e çiklistit janë shprehur se do të përpiqen të hedhin edhe më shumë dritë rrëth kësaj çështje.