Bledar Mancaku e njeh mirë Teutën dhe golin, pasi për shumë vite ka qenë pika e referimit të sulmit të skuadrës durrsake. Ish-futbollisti i njohur ka analizuar situatën aktuale të Teutës dhe problemet e saj para portës, por duke theksuar se rëndësi më të madhe kishin pikët në këtë moment dhe reagimi pas eliminimit nga Kupa.

“Objektivi kryesor për Teutën ishte marrja e tre pikëve, i mori dhe ndaj është ku është aktualisht. Besoj se po bën mirë në ndeshjet e fundit. Jo vetëm Teuta, por edhe Partizani e Vllaznia po bëjnë mirë. Por Teuta atë që i duhet dhe besoj që po të kalojmë edhe ndeshjen me Tiranën do të jemi më mirë.

Ekipi ishte nën presionin e pikëve se bënë ndeshje të dobët në Kupë, u reflektua në ndeshje sot, se kishin detyrim pikët. Edhe Partizani u afrua, edhe Vllaznia po bën mirë.

Një trepikësh morali që do i shërbejë në ndeshjen tjetër që besoj se do të jenë disi më mirë e më të organizuar. Mendoj se mungesa e golave vjen nga gjendja jo e mirë e sulmuesve. Pritej më shumë nga Krasniqi, nuk po del ku duhet, akoma nuk ka dalë. Në këto ndeshjet e fundit po jep diçka më ndryshe të ndihmojë ekipin që të jetë në majë të klasifikimit.

Ekipet sot nuk janë si në vitet e kaluara se ka shumë disnivel. Edhe ekipet e tjera nuk kanë qenë më mirë. Kush merr trepikësh duhet të jetë i kujdesshëm që të ruash fitoren se një barazim do të thotë që kalohesh në renditje.

Rivaliteti për titull në 2012? Atëherë ka qenë një situatë ndryshe se ekipet ishin të forta. Atëherë ka qenë Skënderbeu në superformë, Tirana, ne ishim shumë mirë. Kurse tani me 1-0 nuk ke garanci, ndaj është më e vështirë. Ishim në presion që do dalim kampion, ishim kampion para se të luanim me Laçin, u mundëm e nuk dolëm kampion”, tregoi Mancaku.