Edlira Çopa, nëna shqiptare që natën e 9 marsit 2014, vrau me thikë tre vajzat e saj Sidney 3 vjeçe, Keisi 10 vjeçe e Simona 13 vjeçe, në Lecco të Italisë, kërkon ndihmë. “Mos më braktisni, e vetme nuk mund t’ia dal dot”, është thirrja e saj.
Nga klinika psikiatrike në komunën e Kastiglione delle Stiviere në provincën e Mantovës ku ndodhet e shtruar me diagnozën e “paaftë të kuptojë e gjykojë, si një rrezik social”, Edlira Çopa i ka dërguar një letër të shkruar dy priftërinjve të cilët e vizitojnë shpesh në klinikë, at Franko Cecchin priftit të qytezës San Nicolo di Lecco dhe priftit Adriano Bertochi, e cila nëpërmjet zërit të tyre kërkon ndihmë.
“Tashmë e ka kuptuar aktin e tmerrshëm kundër natyrës që ka kryer. Edlira kërkon të kthehet pas në kohë e të sakrifikohet për vajzat e saj, por nuk është e mundur. Vajzat i mungojnë shumë e ka një boshllëk të pakapërcyeshëm. Kërkon ta ndihmojmë e mos ta lëmë vetëm, ka nevojë për persona që i shfaqin mëshirën e Zotit, ka nevojë për njerëz që e mirëpresin pa e gjykuar. Është një rrugëtim njerëzor,terapeutik i vështirë e i dhimbshëm.”, shprehen priftërinjtë.
Falë punës së operatorëve e stafit të klinikës ku ndodhet e mbyllur, Edlira po e merr veten ngadalë, dhe pse është në një vëzhgim special pasi ekziston ende i fortë rreziku se mund të bie pre e dëshpërimit dhe e dramës së saj.”
“Një nga dëshirat e Edlirës, është t’i jepet mundësia të përshëndesë për herë të fundit “gëzimet e jetës së saj”, e të qajë mbi varret e tyre në Kukës. Por është ende shpejt për këtë gjest, Edlira më parë duhet të mësohet të jetojë me boshllëkun që ajo vet në mënyrë inkoshiente ka provokuar”, përfundojnë ata.