Diego Costa imiton Luis Suarez-in, në versionin e tij më të keq. Në minutën e 85-të të ndeshjes mes Evertonit dhe Chelsea-it e vlefshme për cerekfinalet e Fa Cup dhe që u zhvillua në Goodison Park, sulmuesi brazilian i natyralizuar spanjoll bëri një gjest shumë të ulët.
Ish bomberi i Atleticos së Madridit në nerva e sipër kjo edhe për faktin se Chelsea në ato momente sapo kishte pësuar 2 gola që po nxirrin jashtë edhe nga kompeticioni i vetëm ky synonte të fitonte një trofe në këtë sezon të dështuar, kafshoi në qafë mesfushorin e vendasve Gareth Barry. Edhe pse fillimisht asgjë nuk u dallua qartë pamjet e përsëritura treguan që ka patur një kafshim të Diego Costës ndaj ish lojtarit të Manchester City-it.
27-vjeçari pas këtij gjesti mori kartonin e dytë të verdhë nga gjyqtari Oliver duke lënë Chelsea-in me një lojtar më pak në fushë në minutat e mbetura. Reagimi i Diego Costës erdhi pasi pak sekonda më herët sulmuesi i kombëtares spanjolle kishte pësuar një ndërhyrje të rëndë nga Gareth Barry.
Gjesti i bomberit 27-vjeçar ka krijuar shumë polemika madje janë të shumta gjasat që Diego Costa të skualifikohet për një periudhë të gjatë nga federata angleze e futbollit. Për ti dalë në mbrojtje sulmuesit me origjinë braziliane zëdhënësi i shtypit te klubi i Chelsea-it, deklaroi se Diego Costa nuk e ka kafshuar Gareth Barry-in, dicka të tillë u ka bërë të ditur vetë 27-vjeçari drejtuesve të Bluve të Londrës.
Trajneri Guus Hiddink ndërkohë, i pyetur për këtë çështje nënvizoi se ai ndodhej shumë larg vendit ku ndodhi zënka mes dy lojtarëve dhe nuk kishte mundësi të dallonte qartë veprimin e sulmuesit të tij.