Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ishte i ftuar i veçantë në emisionin “Futboll Total” të Rete 8 Të Peskarës, ku foli për Europianin e Francës, zhvillimin e futbollit shqiptar, prapaskenat e afrimit të De Biasit në krye të përfaqësueses por dhe për Memushaj, që luan pikërisht me skuadrën e këtij qyteti duke i mësuar italianët madje dhe sesi duhet të shqiptojnë emrin e tij.
Gjatë intervistës së tij, numëri 1 i Federatës Shqiptare të Futbollit vendosi theksin te viti i fundit i futbollit në Shqipëri, ku kuqezinjtë por dhe Skënderbeu arritën një rezultat historik për sportin në vend.
“Viti fundit ishte viti më i mirë për futbollin shqiptar në gjithë historinë e tij, sepse për herë të parë u kualifkuam për në europian. Gjithashtu dhe kampionati ynë është më i ndjekur dhe skuadra kampione e Shqipërisë luajti në fazën e grupeve të Europa League.”
Duka vlerësoi njëkohësisht dhe punën e De Biasit dhe vlerësimin e jashtëzakonshëm që shqiptarët kanë për të.“De Biasi në Shqipëri tashmë është një hero kombëtar. Të gjithë e duan, të gjithë duan futbollin dhe ky që arritëm ishte një rezultat historik, dhe De Biasi si trajner ishte personi kryesor që kontribuoi për këtë sukses. Është meritë e tij që ndërtoi ekipin, që ndryshoi mentalitetin e ekipit dhe e bëri të besojë te kualifikimi.”
Gjithashtu presidenti Duka zbuloi se ulja e De Biasit në krye të stolit të Shqipërisë ishte dhe çështje fati duke treguar për herë të parë një prapaskenë shumë interesante.“Ne biseduam me të të shtunën, duke i ofruar stolin e skuadrës. De Biasi kishte dhe një ofertë nga Getafe. Të hënën, Getafe luante me Barcelonën dhe nëse humbiste do të shkarkonte trajnerin. Normalisht, Barcelona e fiton këtë lloj ndeshje, por fati donte që të fitonte Getafe, që vendosi të mos e shkarkonte trajnerin dhe De Biasi firmosi me ne.”
Gjatë intervistës, gazetarët italianë vlerësuan punën e FSHF në përmirësimin e infrastrukturës sportive në vendin tonë duke theksuar se nëpërmjet ndryshimit të saj mund të ndryshosh dhe futbollin, siç ka ndodhur në rastin e Shqipërisë, ndërkohë që Duka bëri të ditur se është pranë arritjes së një marrëveshje me klubin e Peskarës, që ajo të investojë fuqishëm në një klub të Superiores në Shqipëri.
“Me Peskarën kemi folur konrektisht. Drejtues të këtij klubi erdhën në Shqipëri, vizituan disa klube dhe ndoshta marrin drejtimin e një klub të rëndësishëm për vendin tonë, bëhet fjalë për një klub të Superiores. Por gjithashtu dhe Askoli po e shqyrton si mundësi por nuk ka vendosur ende, gjithsesi në jemi të hapur ndaj të gjithë investitorëve nga vendi juaj por dhe për trajnerët tuaj, pasi ju keni një shkollë të shkëlqyer”.
Duka u shpreh gjithashtu kundër teknologjisë në futbolli duke theksuar se kjo lojë ka rezistuar gjatë dhe pa teknologji dhe të gjithë e duan atë, ndërsa sa i përket Europianit, deklaroi se Shqipëria ka shanse për të kaluar përtej fazës së grupeve. “Gjithçka mund të ndodhë në Europian. Kemi luajtur ndaj të 3 kundërshtarët që kemi në grup, dhe kemi bërë ndeshje të mira me ta. Franca në miqësore, fitoi të gjitha takimet e luajtura dhe vetëm me ne la pikë. Nëse ja dolëm në miqësore, mund t’ja dalim dhe në një ndeshje zyrtare. Ne kemi një skuadër të mirë, pa një yll, por një ekip yll.”