Sipas mediave italiane, Uefa do të marrë masa disiplinore kundër Lazio-s. Arsyeja është sjellja raciste e tifozëve kryeqytetas gjatë ndeshjes së Europa League kundër Sparta Prague (1:1).
Tifozët janë kapur duke brohoritur kore raciste, gjithashtu kanë bërë edhe gjeste fashiste. Një kontroll është duke u kryer edhe për miqtë çekë, teksa mendohet se ata kanë futur në stadium sende të palejuara si fishekzjarrë dhe raketa. Nëse sjellja e keqe e tifozëve nuk ndalet, Lazio rrezikon të përjashtohet përkohësisht nga kompeticionet evropiane.
Së fundmi tifozët e Lazio-s kanë rënë në sy për keq në ndeshjen kundër Napolit në Seria A në datën 3 shkurt. Ata janë dëgjuar teksa këndonin kore raciste kundër mbrojtësit me ngjyrë të Napolit Kalidoi Koulibaly. Mbas asaj ngjarjeje, ultrasit e Lazio-s janë pezulluar me dy ndeshje. Huliganët lazialë janë të famshëm për problemet që shkaktojnë.