Policia e Shtetit brenda 24 orëve nga mbërritja e urdhrit të arrestit, kap dhe ndalon në Durrës një shtetas italian të shpallur në kërkim ndërkombëtar për “Krime Financiare”.
Ditën e sotme, në lagjen nr. 13 në Durrës, u bë e mundur lokalizimi i ambienteve të banimit, kapja dhe ekzekutimi i urdhrit ndërkombëtar të arrestit për shtetasin italian Stefano G., 59 vjeç, lindur në Bolognia, Itali dhe banues në lagjen nr .13 Durrës.
Për këtë shtetas, Gjykata e Turin (Torinos) Itali me Vendimet nr 19668/1013 RGNR dhe nr 20191/14 R.G.GIP, datë 27.11.2014, ka lëshuar urdhrin e arrestit për "Krime Financiare" në bashkëpunim, për të cilën parashikohet dënimi deri në 10 vjet burg.
Urdhri i arrestit është transmetuar nëpërmjet Interpol Tirana ditën e djeshme më datë 11.03.2016.
Ndërkohë, strukturat e Drejtorisë Për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar ishin angazhuar dy javë me parë dhe po bashkëpunonin për hetimin e rastit, identifikimin, dhe lokalizimin e personit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, dhe Interpol Tirana, bazuar në kërkesat paraprake të autoriteteve policore italiane.
Ekzekutimi i vendimit të arrestit për qëllime ekstradimi, u bë në bashkëpunim me strukturat vendore për hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, dhe materialet do t'i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës në bazë të kompetencave vendore.
Ndërkaq, po investigohen dhe aktivitetet e tij të dyshimta kriminale në fushën Ekonomike e Financiare dhe lidhjet e tij edhe në Shqipëri.