Tre inspektorë të Tatimeve janë arrestuar, mes të cilëve një femër, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim, të cilët akuzohen për shpërdorim detyre.

Operacioni kundër informalitetit i koduar “Thunder”, u finalizua ditën e sotme duke vënë në pranga:

Alma Hasanaj, 30 vjeçe, banuese në Kurbin, me detyrë Inspektore pranë Drejtorisë së Hetimit Tatimore Shkodër,

Nikoll Kalaj, 51 vjeç, banues në Kurbin, me detyrë Inspektor Vlerësimi pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore Lezhë,

Nikolin Radovani, 52 vjeç, banues në Shkodër, me detyrë Inspektor pranë Drejtorisë së Hetimit Tatimor Shkodër,

Ndërkohë, është bërë shpallja në kërkim e shtetasit Armando Gjokaj 25 vjeç, banues në Lezhë, me detyrë Inspektor pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore Lezhë.

“Ndalimi dhe shpallja në kërkim e këtyre shtetasve u krye pasi nga ana e tyre me datë 10.03.2016, kanë ushtruar kontroll në subjektin e shtetases E.P. në lagjen “Besëlidhja” qyteti Lezhë, ku gjatë kontrollit të ushtruar ndër të tjera në zbatim të urdhrit ditor të punës kanë bërë inventarizimin e mallit të këtij subjekti, dhe s’kanë bërë konfiskim të plotë të mallrave pa dokumente tatimore, duke shkelur ligjin”, bëri me dije policia.

Gjithashtu, një tjetër shtetase hetohet në gjendje të lirë për akuzën e “Fshehjes së të ardhurave”.