Mësuesi Agim Muça, i cili dy ditë më parë u arrestua pasi rrahu me dru zjarri 12 nxënës të shkollës 9-vjeçare në Orzhanovë të Bulqizës, ditën e djeshme, gjatë marrjes në pyetje në polici, i ka mohuar të gjitha dhe ka deklaruar se gjithçka është sajesë nga kushërinjtë e tij.
“Unë nuk i kam rrahur kurrë nxënësit e mi. I kam dashur dhe vlerësuar si fëmijët e mi. Gjithçka është sajesë nga kushërinjtë e mi. Me njërin prej kushërinjve kam pasur një konflikt të vjetër pronësie”.
Mësuesi 63-vjeçar ka mohuar gjithashtu që të ketë goditur dhe vajzën e mitur, e cila sipas mjekëve ka pësuar hematoma në kokë. “Mjekësia ligjore duhet të përcaktojë se çfarë ka vajza, pasi unë nuk e kam rrahur”, është shprehur ai.
Ndërkohë, burime konfidenciale nga blutë pohuan për “Gazetën Shqiptare” se para se të merrej në pyetje, mësuesi u ka thënë që t’i çonin një gotë konjak.