Policia e Gjirokastrës ka zbuluar një magazinë të vjetër që ishte marrë me qira nga dy vëllezër për pikë shumice për dru zjarri, por në të vërtetë aty kultivohej bimë narkotike me anë të llambave elektrike.
Mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative, policia zhvilloi operacionin “Aspirator”, duke shpallur në kërkim vëllezërit T. V., 38 vjeç dhe H. V., 47 vjeç, të dy banues në Gjirokastër.
“Në zonën ‘Industriale’ të qytetit të Gjirokastrës, në një magazinë të cilën e kishin marrë me qira dy vëllezërit, u konstatuan 6 dhoma në katin e parë të magazinës të përshtatur për kultivim të bimëve narkotike me anë të llambave elektrike.
Në këto dhoma u gjetën 28 thasë plastikë me lëndë e dyshuar narkotike kanabis sativa.
Gjithashtu në vendin e ngjarjes u sekuestruan në cilësinë e provës materiale pajisje elektrike për ngrohje si dhe 16 filtra për filtrimin e ajrit, pajisje ventilimi, 100 llamba si dhe pajisje të tjera ndihmëse që ishin në funksion të rritjes së bimës narkotike”, njofton policia.
Por në këtë magazinë u zbulua dhe një shkelje tjetër nga ana e dy vëllezërve, ata vidhnin energjinë elektrike.