Në Asamblenë e përgjithshme të zhvilluar në “Hotel Tirana”, FSHF ka ndarë çmimet dhe titujt e akorduar për vitin 2015. Refik Resmja dhe Gianni De Biasi e kanë marrë titullin “Nderi i Kombit në Futboll”.

Trajneri italian i kuqezinjve është vlerësuar pas suksesit me Kombëtaren Shqiptare në fazën eliminatore për  “Euro 2016”, ku arriti të sigurojë “biletën” për në Francë.

“Në pllakatën që më dhatë, pashë se janë shënuar tri ndeshjet tona në Europian, por dua që të shtojmë edhe një ose dy të tjera edhe pse do të jetë shumë e vështirë sepse kundërshtarët tanë janë shumë të fortë”. Ka qenë kjo batuta e Xhani de Biazit për presidentin e Federatës, Duka, që i ka dorëzuar pllakatën me tri ndeshjet e grupit në Europian (Shqipëri-Zvicër, Francë-Shqipëri, Rumani-Shqipëri).

Më pas, batuta e italianit:  “Kam pasur shumë presidentë që kanë ndërhyrë në punët e mia, por Duka nuk më ka kërkuar asnjëherë asnjë gjë në aspektin e menaxhimit të skuadrës dhe për këtë e falënderoj shumë pasi ka qenë një president shumë korrekt”.