Pas plot 18 vitesh, është identifikuar autori i vrasjes së prostitutës shqiptare Floreta Islami. Bëhet fjalë për italianin Maurizio Minghella, killeri i prostitutave, i cili aktualisht gjendet i dënuar me 131 vite burg për vrasjen e 8 femrave në vitet ’80-’90.

Më 14 shkurt të vitit 1998, prostituta shqiptare 29 vjeçare Floreta Islami u gjet e vdekur në komunën Rivoli në provinën e Torinos në Itali. Pas ekspertizës u vërtetua se shkaku i vdekjes ishte mbytja me anë të një shalli në fyt. Ndërsa tashmë pas 18 vitesh, falë analizave shkencore që ofrohen sot, është bërë e mundur të identifikohet se ADN-ja në shallin me të cilin është mbytur Floreta Islami, i përket Maurizio Minghella-s.

Dosja hetimore e vrasjes së shqiptares nuk ishte mbyllur për 18 vite rresht. Gjatë viteve, 2 persona të tjerë janë akuzuar për vrasjen e saj por janë lënë të lirë për pamjaftueshmëri provash.