Policia italiane ka arrestuar një shqiptar, pasi u kap me 24 kg marijuanë në automjetin e tij, ku po udhëtonte së bashku me fëmijët dhe bashkëshorten.

Leonard Sheko, 44 vjeç, banues në San Dona di Piave, u ndalua në një postbllok për një kontroll rutinë në aksin rrugor Leçe-Brindizi. Por ai shfaqi shenja nervozizmi, dhe për këtë arsye policia vendosi që të thellonte më tej kontrollin në automjet.

Ata gjetën 18 pako me marijuanë të paketuar dhe menjëherë i vunë prangat shqiptarit, raportojnë mediet italiane.

Pasi u shoqërua për në komisariat, rezultoi se Sheko kishte precedentë të mëparshëm penalë. Në vitin 1994 ishte dënuar për një vjedhje.