Atentati që iu bë mbrëmjen e djeshme shoferit të Ministrisë së Brendshme, Viljon Cakollarit 37 vjeç, dyshohet të jetë kryer për motive hakmarrjeje. Cakollari u qëllua me 3 plumba pistolete në hyrje të shtëpisë te rruga “Irfan Tomini”, ka marrë një plumb në kokë dhe dy në trup, dhe që prej mbrëmjes së djeshme ndodhet në reanimacionin e spitalit “Nënë Tereza”, në gjendje kritike për jetën.

I plagosuri është vëllai i Laurent Cakollarit, person ky që në vitin 1998 është dënuar me 23 vite burg për një vrasje. Gjithashtu ai është dhe kunati i Petrit Lleshit të bandës së “Niklës”. Policia e Tiranës që prej ditës së djeshme ka ngritur dyshime se prita që i është ngritur në hyrje të pallatit, ka qenë për hakmarrje.

Dëshmitarët kanë parë vetëm një person që ka ikur me vrap. Shumë forca policie kanë kryer dhjetëra kontrolle, por deri më tani askush nuk është arrestuar për këtë krim.