Në vigjilje të 25-vjetorit të eksodit të madh të shqiptarëve drejt Europës nga porti i Durrësit, të shumtë janë zërat që propozojnë ngritjen e një memoriali që të kujtojë të parët shqiptarë që i dhanë grushtin e parë diktaturës komuniste. Regjisori dhe shkrimtari Gjergj Vlashi, në një prononcim për “DurrësLajm”, sjell në vëmendjen e publikut imazhet që vinin nga qyteti bregdetar dhe ndjesitë që përjetonte një komb i tërë.
“E kujtoj eksodin me trishtim se mijëra e mijëra të rinj iknin drejt së panjohurës. Durrësi ka qenë në një gjallëri të jashtëzakonshme ato ditë, dhe shikonim si qindra e mijëra njerëz iknin drejt portit të Durrësit. Kësaj ngjarjeje të madhe, me përmasa gati biblike, i duhet një monument ta kujtojmë për brezat e ardhshëm. Monumenti mund të vihet në portin e Durrësit, në qyet, në plazh apo diku tjetër, që kjo ngjarje të mos harrohet”, është mendimi i artistit .
24 mjete lundruese anije transporti dhe peshkarexha u nisën mëngjeset e 6 e 7 marsit nga porti i Durrësit drejt brigjeve italiane. Njerëzit mbushën anijet, ndërsa presioni i qeverisë komuniste për t’i ndaluar ishte i madh.
K.H.