Policia ka parandaluar një ngjarje të rëndë kriminale në Larushk të Krujës, ku një nxënës 14-vjeçar mund të qëllonte me armë mësuesin e tij të fizkulturës.

Ngjarja është regjistruar sot në shkollën 9-vjeçare në Larushk, ku policia ka vënë në pranga 14-vjeçarin K.M., banues në Larushk, i cili sipas burimeve nga policia, njihej në rrethin shoqëror si person problematik.

Ka qenë një telefonatë e mbërritur në Sallën Operative, që njoftonte mbi një konflikt në shkollë, mes nxënësit problematik dhe mësuesit. Falë ndërhyrjes së menjëhershme të efektivëve të policisë, u shmang një tragjedi, pasi 14-vjeçari kishte me vete dhe një pistoletë.

Gjithçka ka nisur për shkak të gare sportive. Sipas hetimeve të deritanishme, ka rezultuar se nxënësi është konfliktuar me profesorin e tij gjatë paradites së sotme, pasi ai nuk e ka përfshirë në një garë sportive.

Sipas të njëjtave burime, mësohet se minorenit, gjatë kontrollit fizik iu gjet një armë zjarri tip pistoletë dhe dy fishekë. Pas kontrollit që ekspertët i kryen armës së zjarrit, rezultoi se ishte me fishek të mbushur.

Ndaj minorenit rëndojnë dy vepra penale “Vrasja me dashje e mbetur në tentativë” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.

S.L.