Policia e Durrësit zbardh dhe dokumenton ngjarjen e së martës në qytetin e Durrësit, ku mbeti i vrarë Asllan Kërtusha dhe u plagos Bledar Kajno. Në një njoftim zyrtar për shtyp, policia njofton sot se uniformat blu kanë arrestuar 39-vjeçarin që mbeti i plagosur Bledar Kajno, banues në Xhafzotaj, si dhe kanë shpallur në kërkim e po punojnë për kapjen e autorit tjetër, 31-vjeçarit Gëzim Kajno, banues në Durrës, pronari i lokalit "Lord's" ku ndodhi ngjarja.
Sipas policisë, ngjarja e rëndë ka ndodhur pas një konflikti të çastit për motive të dobëta, mes viktimës dhe autorëve, të cilët ishin në gjendje të dehur.
Mekanizmi i ngjarjes:
Më datë 01.03.2016, rreth orës 19:00, në lagjen Nr.17, pranë Ndërmarrjes së Ujësjellësit, shtetasit Gëzim dhe Bledar Kajno nën efektin e alkoolit dhe për motive të dobëta janë konfliktuar me shtetasin Asllan Kërtusha në ambientet e brendshme të lokalit.
Më pas, në konflikt e sipër, kanë dalë jashtë lokalit ku shtetasi Gëzim Kajno e ka goditur më qytën e pistoletës në kokë shtetasin Asllan Kërtusha dhe si pasojë e një shkrepje të armës së zjarrit është plagosur në krah shtetasi Bledar Kajno.
Po me të njëjtën pistoletë, shtetasi Gëzim Kajno ka qëlluar Kërtushën, i cili nga plagët e marra ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal Durrës.
Në vendngjarje, në cilësinë e provës materiale u gjetën dhe u sekuestruan:
• dy gëzhoja model 54 kalibri 7.62 m/m dhe
• 3 copë fishekë kalibri 7.62 m/m.
Asllan Kërtusha, 30 vjeç, banues në Durrës, ishte person më precedentë penalë të mëparshëm duke konsumuar disa vepra penale si: vjedhje, në fushën e lëndëve narkotike, kundërshtim i Punonjësit të Policisë, konflikte në lokalet e natës si edhe ka pasur lidhje shoqërore me persona me precedentë penalë.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprën penale “Vrasja me dashje në bashkëpunim”dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.
S.L.





