Prej 7 muajsh, gazetari Kleves Bitro, ish-shefi i kabinetit të ministrit Spiro Ksera është duke vuajtur dënimin në burgun e Durrësit, së bashku me të dënuar të tjerë. Bitro është një prej 20 të dënuarve, i cili ndoqi kurset profesionale në burg, të gjuhëve të huaja. Por si është një ditë në burg për Klevesin i cili ka punuar si gazetar e diplomat, deri në vitin 2009? Pas këtij viti Bitro u emërua shef kabineti në Ministrinë e Punës që drejtohej nga ish-ministri Spiro Ksera. E takojmë në ambientet e burgut, është me një libër në dorë e stilolaps me vete. Është gjithmonë me bllok në dorë, thonë bashkëvuajtësit e tij.
Kleves, si është një ditë e zakonshme në burg? Sa i ndiqni kurset profesionale?
Një ditë relativisht e zakonshme është ndjekja e kurseve profesionale nga të dënuarit, sepse asgjë tjetër nuk ndodh. Marrja e certifikatave në italisht dhe anglisht është simbolike. Sistemi i integrimit dhe rehabilitimit të të dënuarve duhet të dalë mbi sistemin e ndëshkimit. Vetëm nëse arrihet kjo mund të arrihen aspiratat tona europiane. Do të ishte risi ulja e dënimit ose aplikimi i dënimeve alternative, nëse kushtëzohej me programet rehabilituese,kjo do ishte zgjidhje .
Si është jeta në burg?
Jeta në burg është shumë e vështirë. Problemet vijnë nga presioni psikologjik, nga mungesa e komunikimit me familjarët. Janë vetëm 4 takime në muaj dhe ka takime plus, por që duhet leje speciale nga drejtori i burgut. Takimi me familjarët është i vështirë, pastaj ata që i kanë familjarët larg, pamundësia e mbërritjes së tyre. Sido që të jetë çelësat e dyerve, kafazi i hekurave ushtron trysni psikologjike që tek të burgosurit, kjo do të thotë të rrinë urtë!
Klevis për një kohë të gjatë të mbajmë mend si gazetar terreni. Sa ju mungon ajo liri?
Liria u mungon të gjithë të burgosurve, të dënuarve e të paraburgosurve. Do të paguanin lirinë me çdo çmim. Liria është gjëja më e shtrenjtë që për të do të bëhej çdo sakrificë, me çfarëdo lloj çmimi. Jo vetëm, unë por të gjithë ata që janë padrejtësisht në burgjet e Shqipërisë do të triumfojnë e do ta shijojnë më shumë seç e kanë shikuar më pare lirinë.
Ju u akuzuat për shkelje të barazisë në tenderë? A përfituat nga ulja e dënimit në fundvit?
Unë nuk e kam pranuar dhe nuk pranoj fajin për veprën që akuzohem. Nuk ka pse të çuditemi për arsyet e padrejtësive dhe përqindjet e padrejtësive që mblidhen institucionet e vuajtjes së dënimeve penale, nëse marrim parasysh gjithë pakënaqësinë e madhe publike e shoqërore që ka ndaj sistemit të drejtësisë. Këtu janë edhe institucionet e tjera siç është organi i akuzës që nuk e lehtësojnë punën e drejtësisë, por e rëndojnë punën në drejtësi. Janë një masë e madhe njerëzish që janë padrejtësisht sot në burgje. Sigurisht jam padrejtësisht në burg, akuzohem për një vepër që nuk e kam kryer unë.
Keni përfituar nga amnistitë deri tani?
Kam 7 muaj dhe prisja amnisti me ligjin e fundit, por ndërhyrja e prokurorisë ka bërë që të mos përfitoja. Kam paditur prokurorinë dhe shumë shpejt kam seancën e radhës për njohjen e amnistisë.
Kleves Bitro ka qenë gazetar, fillimisht tek “Tema” në vitet 2001, kur e nisi karrierën. Më pas në “Shijak Tv” i cili ka qenë në lulëzim të tij, te gazeta “Republika”, “Gazeta 55”, televizioni “ATN 1” deri në 2006-n. Më pas mori detyrën e sekretarit të dytë në ambasadën shqiptare në Athinë, e më pas si sekretar i parë në këtë ambasadë deri në 2009-n. Në këtë vit thirret si shef kabineti në Ministrinë e Punës e Çështjeve Sociale.
Bitro u arrestua më 30 korrik 2015.
Në tetor të vitit 2013, Bitro u kallëzua dhe nga ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë. Sipas kësaj të fundit, ai kishte pajisur me dokumente false tre shtetas, të cilët u dërguan në SHBA si të “punësuar” të Ministrisë së Punës.
Por prokuroria bën të ditur se Bitro u hetua në një tjetër procedim penal për falsifikim dokumentesh, ndërkohë që është dhënë një vendim, i gjykatës së shkallës së parë, me 10 muaj burg në akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Më herët, sipas Prokurorisë, Bitro është dënuar 2 vjet burg për mashtrim dhe dy vjet e katër muaj burg për falsifikim dokumentesh. Të dyja vendimet janë marrë në vitin 2014, dhe proceset janë zhvilluar me gjykim të shkurtuar.
K.H.