Në portin e Durrësit që prej 9 ditësh po përpunohet transportuesi i madh “Ocean Marvel”, me 19.984 tonë hekur ndërtimi, porosi e kompanisë metalurgjike turke “Kurum”. Anija "Ocean Marcel" ka flamur liberian, tonazh 42584 tonë; gjatësi 188 metra dhe gjerësi 31 metra. Është ndërtuar në vitin 2001.
Ndërkaq, që nga fillimi i këtij viti në portin më të madh të vendit ka mbërritur një sasi e përgjithshme prej 43.690 tonë hekur, konstruksione metalike dhe llamarinë. Që nga 1 janari në kalatat 4 dhe 5 të Terminalit Perëndimor janë ankoruar 9 anije tregtare me hekur ndërtimi, llamarinë dhe konstruksione metalike. Anija me ngarkesën më të vogël ishte “Medazov Julia”, me 184 tonë konstruksione metalike, ndërsa më e madhja “Madrid Trader”, e cila u shkarkua pjesërisht në radën portuale me ndihmën e anijes “Nereida”.
Aktualisht në kalatën 5 vazhdon shkarkimi i anijes “Ocean Marvel” me afro 20 mijë tonë hekur ndërtimi. Gjatë vitit të kaluar në portin e Durrësit janë përpunuar mbi 106 mijë tonë hekur ndërtimi dhe llamarina.
Th.M.





