Nga Mentor Kikia

Ben Blushit, mediat i kanë hapur dyer e dritare. Në kohën kur spektakli “Portokalli” në Top Channel nuk ka filluar ende, “Blushi” është programi më i shikuar në ekranet shqiptare. Por, përse e dëgjojnë dhe e lexojnë kaq shumë shqiptarët Blushin? Sepse ai kërkon që në PS të bëhet kongres? Sepse ai thotë se në PS duhet të ketë demokraci? Sepse kritikon Ramën? Mendoj se këto janë shumë pak për të merituar tërë këtë akses mediatik dhe këtë vëmendje publike. Unë nuk besoj se ka shumë shqiptarë të interesuar e shqetësuar kaq shumë që në PS të bëhet kongres dhe në kongres të bëhen zgjedhje. Jo jo, shqiptarët nuk e ndjekim Blushin sepse kërkon kongres, por sepse shikojnë te Blushi mundësinë e krijimit të një alternative të re politike, në kushtet kur opozita është ende në rrugën e zhbërjes. Gjergj Bojaxhiu, vetëm me Facebook, mblodhi nja 16 mijë vota në Tiranë. Kjo do të thotë se trendy për të mbështetur një alternativë të re ekziston.

Media, si pasqyrim i interesit publik, po reflekton pikërisht këtë ndjesi dhe nevojë të shoqërisë ndaj dhe Blushi ftohet studio më studio të japë shfaqjen sipas formatit “One man show. Moderatorët e programeve pyesin pafund Blushin: Ç’do të bësh sikur të mos ketë votim? Ç’do të bësh sikur të mos bëhen zgjedhje? Ç’do të bësh sikur të ketë votim, por të mos jetë i drejtë (pra të ta fusin-shqip)? Eni Vasili, së fundmi, e pyeti me kaq shumë këmbëngulje, por Blushi tha po me kaq këmbëngulje: Nëse Kongresi bëhet të dielën, sido të vejë puna, e nesërmja do të jetë e hënë dhe unë do të jem sërish në PS. Mjaft sa nuk tha se edhe sikur të më rrahin, nuk iki nga PS. Duket sikur Blushit po i luten: Aman o Blush, bëj një parti, një lëvizje, çfarëdo quaje, por bëj një gjë të re. Por Blushi thotë vetëm se do të ketë zgjedhje në kongres. Nuk ka rrugë tjetër! Nuk krijoj parti të re. 

Po mirë, ja u bënë edhe zgjedhjet, dhe demokratike madje, dhe Blushi humbi(unë s’kam pikën e dyshimit që kështu do të jetë, në kushtet kur politika është kaq klienteliste, si kudo xhanëm). Çfarë do të bëhet të nesërmen, do ta shpallim festë kombëtare sepse PS-ja u bë demokratike? Po Blushi do e quajë të përmbushur misionin e tij? Në qoftë kështu, po u ha kohë kot mediave Blush. Nëse ti do të vazhdosh të kritikosh, dhe pastaj të votosh çdo gjë që kritikon, të paktën kurseju shqiptarëve kohën, dhe zhgënjimin atyre që shpresojnë.

Marrë Facebook-u i Mentor Kikias