U bënë disa muaj që kompanitë e ngarkim- shkarkimit në portin e Durrësit, janë në sherr me njëra-tjetrën për interesat e tyre ekonomike dhe financiare, dhe në luftë për të thithur klientët e njëra-tjetrës. Por ndërsa operatorët privatë të këtij sektori luftojnë për interesat e tyre ekonomike, dëmi që shkaktojnë në kurriz të APD-së dhe të interesave të qytetarëve apo shtetit është prezent prej muajsh.

Me qindra apo mijëra tonë pirit, lëndë djegëse me destinacion Kosovën, si kurrë më parë në vitet e fundit po qëndron e depozituar prej dy muajsh në kalatat e portit, numër 2, 3, 4. Mallrat rifuxho të qymyrgurit e mineraleve të tjera duhet të shkarkohen në kalatën 10, e përcaktuar posaçërisht për këto mallra.

Por APD-ja e pati më të lehtë që të vendoste shkarkimin e qymyrit në këtë vend, pasi kompanitë e ngarkim -shkarkimit u “sherrosën” me njëra-tjetrën. Qymyri prej javësh qëndron pikërisht këtu ku shkarkohen edhe gruri, edhe mallrat e tjera ushqimore që vijnë rifuxho apo të paketuara. Në këto kalata, ankorohen të gjitha anijet që sjellin produkte ushqimore e produkte industriale. Vetëm fakti që Piriti, lënda djegëse e konsideruar helmuese nga ambientalistët dhe specialistët e Shëndetësisë, qëndron në të njëjtin vend, dhe një erë e lehtë mund ta përziejë me grurin që importohet për bukë për popullatën, është skandal më vete.

Burimet zyrtare nga APD-ja bënë me dije se kompania importuese e piritit në Kosovë ka nisur të tërheqë sasinë e këtij materiali nga porti. Por me këto ritme, do të duhet kohë e gjatë që sasia shumë e madhe e qymyrit të largohet nga kalatat e zaptuara prej tij.  

K.H.