Ish-sulmuesi i Partizanit, Sebino Plaku, nuk do të bëhet pjesë e Teutës për pjesën e mbetur të sezonit. Lojtari dhe drejtuesit e klubit të Teutës prej disa kohësh kishin nisur bisedimet, por për arsye ende të paqarta nuk u arrit akordi mes palëve, ndaj durrsakëve u duhet të kthejnë sytë për të gjetur tjetër sulmues. Mësohet se palët kanë mbajtur qëndrime të ndryshme dhe nuk kanë rënë dakord. Në këto kushte, teknikut Magani i duhet të hedhë "rrjetën" diku tjetër për të përforcuar sulmin e tij.

Drejtuesit e klubit durrsak kanë nisur bisedimet me disa lojtarë, por për arsye se ata janë me skuadra në kontratë, nuk bëjnë të ditur emrat e tyre. Pritet që përgjatë kësaj jave të mbyllen bisedimet me disa prej lojtarëve që durrsakët kanë në plan për t’i sjellë në Durrës, me qëllim që tekniku Magani të ketë kohë në dispozicion për t’i përshtatur me lojën e skuadrës dhe idetë e tij.

Mbrojtësi i djathtë i Teutës, Lukiç zhvilloi një pjesë të parë të sezonit në mënyrë të shkëlqyer, duke u kthyer në një nga lojtarët më të rëndësishëm te djemtë e detit. Anësori u ka dhënë fund pushimeve në Serbi dhe sot pritet t'i bashkohet skuadrës. Serbi ka mbajtur një peshë shumë të rëndësishme mbi shpatulla dhe konsiderohet titullar i padiskutueshëm në skuadrën e drejtuar nga Gugash Magani. Lukiç mbërrin këto ditë i shoqëruar nga një bashkatdhetar i tij. Bëhet fjalë për një mesfushor me tipare sulmuese, i cili gjithashtu do të dalë për të kryer seancën e parë stërvitore me skuadrën e tij të re Teuta. Teuta po vijon me përgatitjet me intensitet të lartë, për pjesën tjetër të sezonit. Nga ana tjetër, drejtuesit e klubit po punojnë për të kryer të tjera afrime cilësore.