Pas Barcelonës, FIFA përdor dorën e hekurt edhe me Realin e Madridit dhe Atleticon e Madridit.Komisioni i Disiplinës i institucionit më të lartë të futbollit Botëror ka marrë vendimin për t’u pezulluar merkaton në hyrje dy klubeve të kryeqytetit spanjoll për dy sesionet e ardhshme, atë të verës së këtij viti dhe të Janarit të vitit 2017. Dënimi i dhënë nga FIFA për Realin dhe Atleticon është i ngjashëm me atë që mori Barcelona dy vite më parë, pasi edhe shkaqet janë të njëjta.

Dy klubet madrilene akuzohen se kanë bërë transferime të parregullta të lojtarëve minorenë dhe që nuk janë spanjollë. Kjo do të thotë që si Reali ashtu Atletico nuk mund të afrojnë në skuadër gjatë dy sesioneve të ardhshme të merkatos futbollistë të tjerë. Në këtë mënyrë mundësia e vetme për “Los Blancos” dhe “Los Colchoneros”, për të marrë në ekipet respektive lojtarët që dëshirojnë gjatë vitit 2016-të, është të veprojnë në merkato gjatë këtij muaji deri në datën 31 Janar. Komisioni i Displinës në FIFA i ka dënuar dy klubet edhe me nga një gjobë. 821 mijë euro është shuma që duhet të paguajë Atletico dhe  328 mijë Euro Reali.

ritet që në ditët e ardhshme dy klubet e kryqytetit spanjoll ta apelojnë vendimin por ashtu si në rastin e Barcelonës edhe këtë herë vështirë se komisionet juridike të FIFA-s do të ndryshojnë dicka. Një goditje e rëndë kjo sidomos për Realin e Madridit që gjatë verës së ardhshme kishte planifikuar lëvizje të mëdha në merkato me francezin Paul Pogba dhe polakun Robert Lewandowski që qëndronin në pole-position për të veshur fanellën e bardhë. Si Reali ashtu edhe Atletico mund të largojnë nga skuadra futbollistë gjatë kësaj periudhe por duke qenë se dy klubet nuk mund të blejnë vështirë se nga Madridi do të largohen lojtarë me peshë.