Ekipi i Teutës ka arritur të bëjë edhe afrimin zyrtar në merkaton e janarit. Te durrsakët ka mbërritur Florian Kadriu nga ekipi i Tiranës. 19-vjeçari nuk gjeti hapësirë te bardheblutë dhe për këtë arsye ka kaluar në radhët e skuadrës së Teutës.
Shqiptari nga Kërçova do të vijë si huazim deri në fund të sezonit për t’u vënë nën urdhrat e trajnerit Magani. Drejtuesit e Tiranës duket se kanë vendosur ta huazojnë mesfushorin në mënyrë që ai të luajë më shumë minuta në kampionat.
Kadriu u afrua në merkaton e verës te bardheblutë, por reparti i mbipopulluar te ky ekip ka bërë që tashmë mesfushori 19-vjeçar të provojë një tjetër aventurë edhe pse për një kohë të shkurtër. Gugash Magani ka dhënë aprovimin e tij, pasi dihet që trajneri peqinas i preferon lojtarët e rinj.