Marcello Lippi dhe Luciano Spalleti janë këta të dy emrat për të cilët po flitet më shumë në mediat sportive italiane gjatë ditëve të fundit. I pari shikohet si pasues i serbit Sinisa Mihajlovic në stolin e Milanit ndërkohë që ish trajneri i Zenitit mund të rikthehet te Roma për të marrë vendin e Rudi Garcias.

Për Lippin të Hënën u fol se ka patur një kontakt mes tij dhe presidentit të klubit kuqezi Sylvio Berlusconi, por lajmi që përcolli agjensia AdnKronos u përgjënjeshtrua më pas nga Milan Chanell, nga djali i Marcello Lippit që është njëkohësisht edhe menaxheri i trajnerit 67-vjecar dhe nga vetë Sylvio Berlusconi.

Për momentin Milani do të vazhdojë me Mihajlovic por pyetja që shtrojnë mediat në gashidullin Apenin është edhe për sa kohë. Ndeshjet ndaj Carpit në Kupën e Italisë dhe Fiorentinës në Serinë A, pritet të jenë vendimtare për të ardhmen e serbit, dhe vetëm me 2 fitore Mihajlovic mund të shpëtojë vendin e punës. Ndaj Romës kuqezinjtë bënë një paraqitje të mirë por gjithsesi nuk arritën të merrnin tre pikët dhe në këtë mënyrë e ardhmja e Mihajlovic vazhdon të mbetet në pikëpyetje me Lippin që pavarsisht përgënjeshtrimeve qëndron në pole-position për të marrë drejtimin e Milanit. Ndryshe nga Milani te Roma tashmë kanë vendosur.

Drejtori sportiv i klubit verdhekuq Walter Sabbattini në orët e ardhshme pritet ti tregojë derën francezit Rudi Garcia për të emëruar në krye të skuadrës një njohje të vjetër si Lucianno Spalletti. Barazimi ndaj Milanit ka mbushur kupën, me presidentin James Pallota që nuk beson më te Rudi Garcia. Numri 1 i Romës i ka kërkuar Walter Sabbatinit të kontakojë me Spallettin për ta bindur që ky i fundit të rikthehet në pankinën e skuadrës kryeqytetase. Gjasat janë që ndryshimi në drejtim të realizohet me Romën që në ndeshjen e radhës ndaj Veronës mund të ketë në stol pikërisht ish trajnerin e Zenitit të Shën Petersburgut.