Xherdan Shaqiri u largua në një mënyrë të çuditshme nga Interi në fund të sezonit të kaluar, teksa tashmë ka nisur një aventurë të re me Stoke City-in. Futbollisti me origjinë nga Kosova ka dhënë një intervistë për mediat zvicerane (blick.ch) teksa ka dhënë një deklaratë thumbuese ndaj zikaltërve. 

"Nuk kam pasur asnjë problem me Mancini-n. Vetëm se ai ka ndryshuar disa herë opinion e tij mbi mua. Një herë, për të më shëruar sa më shpejt nga një dëmtim, para një ndeshjeje, më thanë se ishte një shërues magjik apo mjek popullor që jetonte në mal. Udhëtova gjysmë ore me makinë për t'u manipuluar nga ai zotëri, i cili në përfundim nuk zgjidhi asgjë. Ardhja te Stoke City ishte një vendim i drejtë. Këtu punohet në mënyrë profesionale. Janë plot shtatë fizioterapistë, të cilët të ekzaminojnë çdo ditë mesin, kofshët dhe këmbët", deklaroi ai për mediat zvicerane.