Napoli dhuron spektakël në javën e 19-të, që mbylli edhe fazën e parë të Serisë A.
Skuadra e Sarrit triumfoi 5-1 në fushën e Frosinones, duke u shpallur edhe kampion dimri në kampionatin italian.
Një paraqitje fantastike për të besuarit e Sarrit, ku Elseid Hysaj ishte titullar dhe zhvilloi një tjetër ndeshje në nivele shumë të larta. Pas avantazhit me Albiol, Napoli dyfishoi shifrat me 11-metërshin e fituar dhe shndërruar në gol nga Higuain. Më pas, Hamsik, sërish Higuain dhe Gabbiadini me një perlë vulosën pesë golat e napolitanëve, ndërsa rrjeta e nderit për Frosinonen, ku Arlind Ajeti qëndroi në stol, u shënua nga Sammarco.
Me këtë sukses, Napoli kryeson i vetëm, në kuotën e 41 pikëve, 2 më tepër se Fiorentina dhe Interi, me zikaltërit që gabuan në mënyrë të pabesueshme.Skuadra e Mancinit u mposht 0-1 në Meazza nga Sassuolo, në një sfidë ku Ljajic shpërdoroi raste të mira për shënim, portieri Consigli mbajti miqtë në lojë, ndërsa Handanovic bëri mrekulli deri në minutën e pestë të kohës shtesë. Portieri nuk mundi të bënte asgjë përballë 11-metërshit të Berardit, me Interin që pësoi disfatën e dytë radhazi në shtëpi, pas asaj me Lazio-n.
Në takimet e tjera, Genoa fitoi në Bergamo përballë Atalantës, me golat e Dzemaili-t dhe Pavoletti-t. Simone Pepe i dhuroi tri pikët Chievo-s në fushën e Bologna-s, ndërsa rikthehet buzëqeshja për Palermon, që me rrjetën e Vazquez mposhti Verona-n e Delnerit. Në krizë të plotë Torino, që u thye në shtëpi nga Empoli, në një sfidë të vendosur nga goli i Maçarone-s.