Skuadra e “djemve të detit” të Teutës ka lënë pas një javë stërvitore me ngarkesa të larta fizike. Trajneri Magani po synon t’u japë “karburantin” e nevojshëm futbollistëve të tij për gjysmën e mbetur të garës. Në radhët e durrsakëve është shtuar edhe portieri Bledar Rizvani, i cili e ka lënë pas dëmtimin e shkuar dhe po stërvitet bashkë me grupin.
“Firoja” e vetme e Teutës gjatë kësaj periudhe është mbrojtësi kosovar Viktor Kuka, i cili është “divorcuar” për shkak të mungesës së hapësirave në radhët e durrsakëve. Ajo që ka rënë në sy gjatë këtyre ditëve stërvitore të “djemve të detit” është edhe mungesa e mbrojtësit serb Lukiç, i cili nuk po duket në radhët e tyre. “Lukiç është nën kontratë me Teutën dhe ai do t’i bashkohet skuadrës për fazën përgatitore me datën 13 janar. Kështu që nuk ka asgjë për t’u alarmuar. Lukiç është me leje dhe do të kthehet si pjesë e skuadrës”, është shprehur trajneri Magani, duke dashur të mbyllë çdo spekulim për mungesën e mbrojtësit serb.
Ndërkohë, në mjedisin rreth e rrotullskuadrës durrake të Teutës, po përforcohen gjithnjë e më shumë zërat për mundësinë e përfshirjes në të të mesfushorit Albi Dosti, i larguar nga Bullgaria dhe të sulmuesit Sebino Plaku, që është “divorcuar” me Partizanin.