Tjetër tragjedi në garat e Rally Dakar që po zhvillohen në Amerikën e Jugut. Një burrë 63-vjeçar është përplasur për vdekje nga një makinë e garës gjatë etapës së 7-të të turneut. Incidenti ka ndodhur 82km larg finishit të etapës Unyui-Salta.
Makina me nr.402, që pilotohet nga francezi Lionel Baud, ka goditur spektatorin që ndodhej i vetëm në itinerarin e rrugës. Menjëherë në vendngjarje ka mbërritur ndihma e parë, por impakti i fortë që personi pati me makinën bëri që mbijetesa e tij të ishte e pamundur.
Sipas organizatorëve, burri që pësoi vdekjen ndodhej krejt i vetëm në mes të rrugës, kur po kalonte makina e pilotit francez. Ky i fundit nuk arriti ta evitojë përplasjen.
Edhe kjo etapë është kushtëzuar nga shirat e shumtë, që e bënë të vështirë garën. Ky është incidenti i dytë i Rally Dakar, pas atij të prologut. Në atë etapë, makina e kinezit Guo Meiling doli nga pista në një kthesë, duke u përplasur me spektatorët që ndodheshin anës rrugës dhe shkaktoi 13 të plagosur. Por sot u regjisrtua viktima e parë e Rally dakar 2016.