Një duel botëror në Tiranë për një nga titujt më të rëndësishëm të boksit profesionist.

Mike Gjetan Keta rikthen në Tiranë boksin prestigjoz me një përballje spektakolare.

Në datën 19 Shkurt, Pallati i Sportit “Asllan Rusi” hap dyert për boksierin shqiptar që do të sfidojë turkun Gokalp Ozekler për titullin Interkontinental të federatës më të rëndësishme të boksit profesionist, WBC. Trajneri i boksierit nga Bukqiza, Ismail Keta, prezanton duelin emocionues që është një nga sfidat më të rëndësishme të karrierës së vëllait të tij.

“Çdo ndeshje është një sfidë e re dhe e vështirë. Në këtë rast bëhet fjalë për titullin interkontinental dhe sigurisht që përgjegjësia e Gjetanit dhe e imja shumëfishohet”.

Në vijim, ish kampioni i kik boxit nënvizon se Gjetani po kalon një moment pozitiv dhe gëzon formë optimale pasi po e përgatit prej kohësh një sfidë të tillë. “Gjetani është në formën e duhur fizike dhe po punojmë që të përmirësohet pasi me këtë titull duam të nderojmë veten dhe Shqipërinë”.

32-vjeçari shqiptar që numëron 22 duele si profesionist me 19 fitore dhe 3 humbje në karrierën e tij shpreh emocionet që do të ngjitet sërish në ring përpara sportdashësve shqiptarë pas eksperiencës së paharrueshme në qytetin e tij të lindjes, Bulqizë.

“Emocionet kanë filluar dhe unë ndihem shumë i lumtur që mund të sjell titullin në Shqipëri. Për mua përbën një motivim më shumë. Ndjehem shumë krenar dhe duhet të jap maksimumin që t’i krenoj shqiptarët”.

Rivali i tij, Gokalp Ozekler ka boksuar 22 herë si profesionist, numëron vetëm një humbje dhe është mbajtësi në fuqi i titullit interkontionental të federatës WBC, prandaj një fitore e mundshme ndaj tij do të hapte rrugën për t’u ndeshur përtej Atlantikut, në arenën prestigjoze të boksit amerikan. “Kemi oferta të ndryshme nga SHBA. Amerikanët e duan stilin e Gjetanit. Kemi disa oferta të përshtatshme dhe ndeshja tjetër do të jetë në Amerikë”.