Mohamed Kdouh, sulmuesi nga Libani i ardhur me shumë bujë te Vllaznia në merkaton e verës është larguar përfundimisht nga Vllaznia teksa në një prononcim për televizionin lokal në Shkodër “Star Plus” rrëfen problemet dhe peripecitë e kaluara te Vllaznia.

“Për 2 muaj kam qëndruar ilegalisht në Shqipëri. Nuk mund të kthehem në vendin tuaj sepse Vllaznia nuk më ka dhënë leje qëndrimi në Shqipëri. Policia më ka ndaluar disa herë dhe më ka krijuar probleme. I kam pyetur drejtuesit se përse nuk po më jepet leje qëndrimi dhe vazhdimisht më kanë thënë se po punohet për këtë gjë. Nuk mund t’i krijoja më vetes probleme të tilla dhe u largova pasi nuk mund të qëndroja më ilegalisht. Të gjithë lojtarët jo europianë që kanë luajtur te Vllaznia e kanë patur këtë problem, jo vetëm unë”

“Vllaznia gjithashtu më detyrohet pesë paga, pasi për pesë muaj nuk jam paguar. Avokati im ka kontaktuar me klubin dhe i ka thënë që duhet të më paguajnë, por deri tani asgjë. Vazhdimisht më thonin, nesër për pagesat, por më kanë gënjyer pasi nuk më kanë paguar asnjëherë “.

22-Vjeçari nga Libani thekson se ka kontaktuar me drejtuesit shkodranë dhe këtë çeshtje do e shpie në FIFA.

“Këtë çështje do ta çojë dhe në Fifa për të marrë atë që më takon. Avokati im i ka shkruajtur klubit të Vllaznisë por deri tani nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Do ta denoncoj këtë çështje për dy arsye, e para për pagat dhe e dyta për faktin se më kanë hapur probleme duke qenë se kam qëndruar ilegalisht në Shqipëri”.