Arlind Ajeti debuton me gol në Serinë A italiane. Kuqeziu luajti ndeshjen e parë dhe si titullar me Frosinonen, në barazimin 2-2 në fushën e Sassuolos. Pas transferimit më 24 Nëntor 2015 si lojtar i lirë, mbrojtësi priti një muaj e gjysmë për të luajtur në kampionatin ku të gjithë futbollistët profesionistë e ëndërrojnë. Një ndeshje, ku Ajeti i ka provuar të gjitha emocionet e mundshme në fushë. Nga debutimi në “Mapei Stadium” në Reggio Emilia, në një sfidë shumë të rëndësishme për Frosinonen, me objektivin për të grumbulluar pikë mbijetese. Aktivizimi nga minuta e parë për mbrojtësin e Kombëtares erdhi pas ndryshimit taktik nga trajneri Stellone, që e rreshtoi ekipin në fushë me skemën 4-3-1-2.

Ajeti tregoi prej minutës së parë se gjendja e tij fizike është rritur, duke treguar të gjithë personalitetin në qendër të mbrojtjes. Frosinone kaloi në avantazh me Dionisin pas 16 minutave lojë. Por, në të 22-ën, Sassuolo barazoi me Defrel, me topin që u devijua në mënyrë të pafat nga Ajeti, duke nxjerrë jashtë loje portierin Leali.

Megjithatë episodin jo të favorshëm, kuqeziu nuk u demoralizua, por realizoi një ndërhyrje vendimtare gjatë një aksioni të rrezikshëm të kundërshtarëve. Në të 45-tën, erdhi edhe goli i parë në Serinë A. Ajeti kërceu në mënyrë të shkëlqyer pas një goditje këndi nga e majta dhe e dërgoi topin në rrjetë.

Por, fatkeqësisht goli i mbrojtësit shqiptar nuk rezultoi vendimtar për Frosinonen, me Sassuolon që barazoi shifrat në të 74-tën me Falcinelli-n. Një pikë mjaft e rëndësishme për “luanët”, të cilët në fund u ndihmuan edhe nga fati, ndërsa Ajeti mori përgëzimet e shokëve të ekipit për paraqitjen solide në mbrojtje dhe golin në ndeshjen e parë.